TIRANË-Një ditë pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi pro shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, propozimi i është dërguar Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Do të jetë Këshilli i Ministrave ai që do të vulosë vendimin e shkarkimit të Veliajt.
Një ditë më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës mblodhi 3 kërkesat e PS, PD dhe këshilltarit Endri Shabani për shkarkimin e Erion Veliajt dhe i votoi me 50 vota pro si një e vetme. Motivi që Këshilli Bashkiak Tiranë votoi për shkarkimin e Erion Veliajt është mosparaqitja në detyrë prej më shumë se 3 muaj. Veliaj ka sqaruar në kërkesën e tij se mungesa për më shumë se tre muaj, nuk është si pasojë e vullnetit të tij, por si rrjedhojë e një mase sigurie, të cilën do ta kundërshtojë në të gjitha instancat gjyqësore.
Vendimi i shkarkimit i cili do ti hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, pritet të kundërshtohet nga Erion Veliaj. Ky i fundit ka të drejtë të ankimojë vendimin e marrë në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve. Kushtetuesja më pas është organi që jep verdiktin./ZËRI