
TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi akuzoi Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se arrestoi Ilir Metën vetëm për ta heshtur. Në një konferencë të lajmëruar për mediat pas arrestimit të Metës, Kryemadhi komentoi edhe mënyrën e arrestimit të tij. Madje pati dhe një koment "+18" për një nga efektivët e Policisë që i vunë prangat presidentit të Partisë së Lirisë.
“5 vjet pse nuk e zgjidhi SPAK çështjen e CEZ DIA. Por nuk kanë argument dhe iu desh të mbyllnin gojën e ilir Metës. Donin t'i mbyllnin gojën Ilir Metës dhe bënë rrëmbyim siç u kanë bërë njerëzve të tjerë bandat e Shijakut dhe Lezhës. Kë po kapnin? Kur e kanë kërkuar Ilir Metën dhe nuk u ka shkuar asnjëherë? Pse kush është Ilir Meta që e rrëmbejnë ashtu? Na del edhe një "motërfucker" që e godet në kokë. Harrojnë që Shqipëria është një fshat i vogël dhe ne njihemi të gjithë. Kush është Policia e Nallbatit?”, tha ajo.
Ditën e djeshme Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK, pasi kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e Endrit Brahimllarit, në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”. /ZËRI