TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale për situatën me zjarret në vend. Sipas tij, gjendja në vend duket e përmirësuar. Por po ashtu, Rama nuk la pa përmendur kritikat e marra nga qytetarët dhe nga rivalët politikë për shuarjen e flakëve, duke marrë edhe shembullin e vendeve të tjera.
“MIRËMËNGJES dhe me një tjetër ditë gatishmërie të lartë e përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimesh e sakrificash të admirueshme por me rreziqe e të papritura në çdo çast; me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve,”- shkruan kryeministri.
Ditën e djeshme duke u përgjigjur për mungesën e avionëve zjarrfikës, Rama tha se edhe pse Greqia e Turqia kanë një flotë për shuarjen e flakëve, por sërish po shkrumbohen nga flakët.
Aktualisht në Shqipëri janë aktive ende 29 vatra zjarri në vend. Forca të shumta janë përqendruar në zjarrin tek Syri i Kaltër dhe Mali i Sopotit. Në Tërnovë të Bulqizës, era po favorizon flakët që po zhvillohen në disa fronte. Pas një dite të vështirë, situata nga zjarri në njësinë Skënderbegas të Gramshit. Sot ka vetëm një vatër zjarri mbi fshatin Ermenj, por shumë larg banesave. Edhe sot për shuarjen e flakëve po operohet nga toka dhe me helikopter./ZËRI