
LEZHË- Kryetari i Partisë Socialiste në Lezhë, Ermal Pacaj, njëherazi edhe kandidat në listat e mbyllura të PS-së për zgjedhjet parlamentare pretendon se ai dhe kandidatë të tjerë janë kërcënuar me armë zjarri nga mbështetës të PD-së. Në një prononcim të shkurtër për mediat fill pasi ka dalë nga Drejtoria Vendore e Policisë së Lezhës, Pacaj pretendon se persona të armatosur kanë kërcënuar atë dhe babanë e kandidates për deputete Klotilda Ndreca. Sipas tij, e gjithë ngjarja ka ndodhur mbrëmjë në fshatin Dajç, ku të armatosurit i kanë kërcënuar edhe me pengmarrje. Megjithatë, edhe pse i denoncoi, nuk i përmendi me emra personat që sipas tij kanë kryer aktin e rëndë.
"Mbrëmë në fshatin Dajç, në orët e vona, në pronën e babait të kandidates tonë për deputet, njerëz të armatosur janë paraqitur duke i kërcënuar se do i merrnin peng kryetarin e PS dhe babain e kandidates për deputete. Kjo është e papranueshme, ne i jemi drejtuar instancave të shtetit. Kjo është ndasia që ne kemi. Çdo natë, militantë të PD-së qarkullojnë orëve të vona me arsye, pa arsye për të gjurmuar dhe për të krijuar alibinë e humbjes. Mbrëmë është bërë kallëzimi. Drejtoria e Policisë vazhdon hetimet. Do interesohemi dhe presim përgjigje dhe veprim nga Policia,"-tha në fjalën e tij Pacaj.
Për denoncimin ende nuk ka një njoftim zyrtar, por burime nga Policia e Lezhës konfirmojnë se dy persona janë shpallur në kërkim.
Po ashtu, nënkryetari i Bashkisë së Lezhës ka denoncuar publikisht edhe kandidatin e Partisë Demokratike, Gjin Gjoni. Sipas Pacajt, gjatë fushatës elektorale, Gjoni ka përhapur akuza të pabazuara ndaj drejtuesve të PS në zona të ndryshme, përfshirë disa drejtues shtabesh, duke i akuzuar ata për blerje votash.
"Sapo dolëm nga Drejtoria Vendore e Policisë në Lezhë, kemi depozituar një kallëzim penal për Gjin Gjonin, i cili prej javësh në rrjetet e tij sociale ka akuzuar drejtuesit e shtabeve të PS si kriminelë elektorale, si njerëz që duhet të jenë në burg, apo si njerëz që duhet të përndiqen nga Policia e Shtetit. Do i drejtohemi edhe zyrës së vëzhguesëve të OSBE-së. Fakti që ata duan një alibi për humbjen, nuk e justifikon faktin që një qytetar të këtij vendi ta quajë kriminel një njeri që punon për Partinë Socialiste,"-shtoi Pacaj.
Për socialistin, përmes këtyre deklaratave dhe veprimeve, kandidati i PD (në listën e hapur) po përpiqet të intimidojë qytetarët dhe të përhapë një frymë tensioni në komunitetin e Lezhës. Për të gjitha këto ngjarje, Pacaj deklaroi se PS do t’i drejtohet edhe zyrës së vëzhguesve të OSBE-së, për të informuar mbi situatën dhe për të kërkuar vëzhgim më të rreptë të fushatës./ZËRI