
DIBËR-Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale ka zhvilluar dëgjesën e radhës në Dibër, ku morën pjesë qytetarë, përfaqësues të pushtetit vendor dhe aktorë të shoqërisë civile.
Bashkëkryetari i Komisionit dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, deklaroi se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar dhe se një nga provat më të qarta të këtij dështimi është shpopullimi masiv i zonave rurale. Boçi theksoi se reforma territoriale nuk është pronë e qeverisë, por e qytetarëve, duke argumentuar se një reformë pa konsultim publik krijon probleme që në themel.
Luçiano Boçi: Ne besojmë se arkitektura e shtetit në territor është Reforma Territoriale dhe ajo nuk është pronë e qeverisë, por pronë e qytetarëve. Nëse realizojmë një reformë pa konsultuar qytetarët, atëherë kemi një reformë pa taban, si ajo e vitit 2014. Difekti kryesor i reformës së vitit 2014 ishte pikërisht moskonsiderimi i mendimit të qytetarëve. Reforma nisi nga harta dhe përfundoi tek kompetencat dhe qytetarët, duke krijuar probleme serioze. Së dyti, mendoj që dëgjesat janë institucione shumë demokratike dhe shumë pozitive.
12 vite më parë mungesa e opozitës çoi në heqjen e një pjesë të madhe të bashkive. Më 17 korrik 2014, Komisioni miratoi edhe hartën e re me 61 bashki, që më pas u miratua me 88 vota në seancë plenare, më 31 korrik, 2014.
Nga ana tjetër bashkëkryetarit të komisionit të posaçëm të reformës territoriale Arbjan Mazniku, e ka vendosur theksin tek raporti i IBAR, i cili përmendte Reformën Territorjale. Mazniku theksoi se ky është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe vlerësim për punën e këtij komsioni.
Arbjan Mazniku: Përmendja specifike në dokumentin e miratuar sot na jep një përgjegjësi edhe më të madhe për të zhvilluar një diskutim serioz dhe për të ndërtuar një mekanizëm të qëndrueshëm për pushtetin vendor, që të qeverisim më mirë dhe të tërheqim me sukses financimet e nevojshme nga Bashkimi Europian. Na duhet një efiçencë më e lartë e bashkive në ushtrimin e kompetencave që u jep ligji, pasi sot një pjesë e tyre nuk arrijnë t’i zbatojnë plotësisht. Së dyti, përballemi me sfidën demografike të lëvizjes së vazhdueshme të popullsisë nga periferia drejt qendrave urbane, ku pjesa më e madhe e qytetarëve janë të përqendruar në qytetet e mëdha, çka kërkon një pushtet vendor të përshtatur me këtë realitet të ri.
Reforma territoriale mbetet një çështje kyçe për organizimin administrativ të vendit dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Kompromiset mes partive në tavolinë, do të vendosin formën përfundimtare të ndarjes së bashkive.