
TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi tha se ajo nuk ka asnjë vilë në Lalëz dhe se kjo është një gënjeshtër e ngritur ndaj saj. Por ajo tha se dikur dëshironte të blinte një vilë pa dijeninë e Ilir Metës, dhe se kreu i PL-së nuk ishte në dijeni të planëve të saj deri sa një ambasador grek ia tregoi planin e saj. Ajo tha se dëshironte të blinte vilën pasi mendoi se do të shiste shtëpinë në zonën e Bllokut, por kjo nuk ndodhi. Më tej, akuzoi Prokurorinë e Posaçme se hetimet që po bëhen ndaj familjes së saj janë gënjeshtra për t’i njollosur.
“Është mashtrim, mos e ka ngatërruar me vilën e Romana Vllahutin. Unë kam dashur që të marr një vilë, pa dijeninë e Ilir Metës. E kam parë, kam shkuar e kam parë të pandërtuar. E kam menduar se do kisha shitur shtëpinë tek Blloku. Atje nuk jetohej se kishte zhurmë. Kur plakesh kap hanxharin në dorë për ata që bëjnë zhurmë. Shkuam e kemi parë si të gjithë gratë. Ilir Meta nuk ka ditur gjë sepse shtëpinë do ta bëja unë. Do bëhej me shkëmbim me dyqanet që kam unë. Ambasadori grek i ka thënë Ilir Metës do jemi komshinj bashkë? Ça shtëpie thotë ky? Edhe e lashë, morëm pastaj shtëpinë tek Kodra e Diellit ku jemi sot. Sa i përket personit në fjalë në telefon është edhe një mesazh i Vali Bizhgës për ligjin e galerive, minierave. Ka qenë Eduart Shalsi ministër. E gjitha do të bëhej në këmbim të statusit të minatorit. Do bëhej në unison, siç është ligji i mediave. Ligji i mediave është njësoj për të gjithë, është bërë komisioni i veprimtarive prodhuese. Është kërkuar nga qeveria shqiptare. Kemi kërkuar edhe grupet e interesit. Kemi kërkuar shoqatat e minierave, sot e kësaj dite nuk e kemi të miratuar as sot e kësaj dite. Politikanët të gjithë i ke nën hetim pasuror, ke ndonjë deputet të PS për hetim pasuror? Më kanë thënë na bëj një listë, po pse kjo është loja? T'ju varim mëlqitë në qafë që të vini ju gjoba. Ne të krijojnë partinë e prokurorëve. Le t'i zgjedhin siç zgjodhën Di Pietron. Ça qenka kjo? Del e shpif! Si gënjen ti? Kur gënjen SPAK, normale, edhe ti çfarë do bësh. Kjo është filozofia, hajde ti bëjmë pis të gjithë njësoj”, tha Monika.
Ditën e djeshme Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK, pasi kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e Endrit Brahimllarit, në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”. /ZËRI