
TIRANË-Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka propozuar disa ndryshime lidhur me dokumentacionin që kërkohet për votuesit shqiptarë jashtë territorit të vendit tonë, me qëllim regjistrimin në zgjedhje. Për t'u regjistruar emigrantët duhet të futeni në faqen e KQZ-së online 'PER' dhe të klikojnë në seksionin “votues nga jashtë”. Pasi të klikojnë duhet që të vazhdojnë me procedurat dhe kërkesat e Komisionit të Zgjedhjeve, ku disa nga pikat kanë ndryshuar me propozimin e fundit.
Në projektvendim thuhet se dokumenti i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë mund të ngarkohet në 'PER' nga çdo anëtar i familjes së personit në emër të të cilit është dokumenti. Në këtë rast personi që ngarkon dokumentin e adresës në PER duhet të ngarkoj sëbashku me të certefikatë personale, familjare ose një deklaratë në format zyrtar të lëshuar nga personi në emër të të cilit është dokumenti i adresës.
Po ashtu dokumenti i adresës në emër të një personi mund të ngarkohet në PER edhe nga persona të tjerë të cilët banojnë në të njëjtën adresë me personin në emër të të cilit është ky dokument. Në këtë rast personi duhet të ngarkojë në platformë një deklaratë të vërtetuar nga një autoritet zyrtar sipas të cilës pranohet se edhe personi tjetër banon në të njëjtën adresë me të.
P R O J E K T V E N D I M
PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 11, DATË 1.11.2024, TË KOMISIONIT RREGULATOR “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË DOKUMENTACIONIT QË KËRKOHET PËR TË VËRTETUAR QËNDRIMIN E ZGJEDHËSIT SHQIPTAR QË VOTON JASHTË TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, ME QËLLIM REGJISTRIMIN NË LISTËN E ZGJEDHËSVE JASHTË VENDIT”
Në mbështetje të nenit 20, pika 1, shkronja “dh”, nenit 25, pika 5 të Ligjit Nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator
Në vendimin e Komisionit Rregullator nr. 11, datë 1.11.2024, “Për……”, bëhen këto ndryshime:
1. Pas pikës 1, gërmës “k” të Kreu II, shtohet pika 2 me këtë përmbajtje:
Dokumenti i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë mund të ngarkohet në PER nga cdo anëtar i familjes së personit në emër të të cilit është dokumenti. Në këtë rast personi që ngarkon dokumentin e adresës në PER duhet të ngarkoj sëbashku me të edhe një nga dokumentet vijuese:
a) certifikatë familjare të personit që aplikon në PER e cila tregon lidhjen ;
b) certifikatë personale e cila tregon lidhjen me personin në emër të të cilit është dokumenti i adresës;
c) një nga dokumentet shqiptare të identitetit të personit në emër të të cilit është dokumenti i adresës;
d) një deklaratë në format zyrtar të lëshuar nga personi në emër të të cilit është dokumenti i adresës.
1. Pas pikës 2 të shtuar, shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:
Dokumenti i adresës në emër të një personi mund të ngarkohet në PER edhe nga persona të tjerë të cilët banojnë në të njëjtën adresë me personin në emër të të cilit është ky dokument. Në këtë rast:
a) personi në emër të të cilit është dokumenti i adresës duhet të lëshoj një deklaratë të vërtetuar nga një autoritet zyrtar sipas të cilës pranohet se edhe personi tjetër banon në të njëjtën adresë me të. Kjo deklaratë ngarkohet në PER nga ky i fundit gjatë procesit të aplikimit për tu regjistruar në këtë platformë.
b) personi që ka interesin për të përdorur dokumentin e adresës i cili është në emër të personit bashkëjetues me të parin, duhet të ngarkoj në PER një nga dokumentet shqiptare të identitetit të personit në emër të të cilit është dokumenti i adresës shoqëruar me një deklaratë të thjeshtë me shkrim të këtij të fundit.
2. Pika 2 e Kreut II bëhet pika 4.
3. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor pranë Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë, brenda (5) ditëve nga shpallja e këtij vendimi.
Në një komunikim për mediat sot, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi iu përgjigj kërkesës së Partisë Demokratike për të lejuar të votojnë edhe emigrantët shqiptarë pa dokumente identifikimi. Për propozimin e Partisë Demokratike që në për zgjedhjet e 11 Majit të regjistrohen edhe shqiptarët që disponojnë vetëm dokumente të shtetit ku jetojnë, Celibashi tha se ky propozim nuk mund të realizohet.
Platforma online "PER" u hap më 11 janar për të pritur aplikimet e emigrantëve që duan të regjistrohen si votues nga jashtë. Për të gjithë ata që duan të votojnë, platforma do të rrijë e hapur deri në 4 mars. Pasi aplikimi të ketë përfunduar, brenda 5 ditëve, KQZ u kthen përgjigje brenda 5 ditëve duke njoftuar nëse aplikimi i tyre është pranuar, ose jo. Nëse aplikimi është i suksesshëm, KQZ do t'u dërgojë emigrantëve fletën e votimit me postë. Pasi vullneti të jetë nënshkruar në letër, fleta e votimit do të kthehet sërish me postë në Shqipëri për t'u numëruar më 11 maj./ZËRI