
TIRANË-Gjykata e Lartë ka caktuar datën e seancës për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianjin. Ish-deputeti i ka kërkuar Gjykatës së Lartë pezullimin e vendimit nga Gjykata e Apelit, e cila ka dënuar me një vit burg për kallëzim të rremë lidhur me dosjen Babale. Seanca do të zhvillohet në datën 11 mars.
Në shkresën e rekursit, Salianji thotë se kundërshton vendimin e datës 18 dhjetor 2019 të Gjykatës Penale, por edhe vendimin e datës 26 shtator të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Më 27 shtator, ish-deputeti demokrat u vetëdorëzua vullnetarisht në Polici, për t'u tranferuar më pas në burgun e Fierit, ku edhe do të vuajë dënimin me 1 vit heqje lirie për çështjen “Babale”. Gjyqi zgjati për disa vite për një denoncim mediatik që demokrati kishte bërë ndaj Geron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, lidhur me trafikun e drogës dhe një dënim të pakryer në Itali. Por Salianji u dënua për kallëzim të rremë. Aktualisht, ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji po kryen dënimin në burgun e Fierit./ZËRI