
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë përgjigjen e parë nga partitë politike lidhur me dy propozimet e bëra nga institucioni lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do mbahen vitin që vjen. Ndërsa afatet po mbarojnë, KQZ kërkoi mendim lidhur me votimin elektronik dhe datën e zgjedhjeve. E para parti politike që ka kthyer një përgjigje ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit. LZHK kërkon nga KQZ-ja që të shqyrtohet mundësia që edhe në qarkun e Tiranës të zhvillohet votimi elektronik, përveç Elbasanit dhe Durrësit që propozoi institucioni. Por në letër shton se jep dakortësinë që edhe në dy qarqet e tjera të votohet elektronikisht.
Edhe Partia Socialiste ka dhënë dakordësinë e saj që në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, votimi elektronik të aplikohet në qarqet Durrës dhe Elbasan, duke miratuar kështu propozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por, socialistët njësoj si Shehi kërkojnë që votimi elektronik të aplikohet edhe në Qarkun e Tiranës.

"Mbi votimin elektronik Partia Lëvizja Për Zhvillim Kombëtar, vlerëson se në qarqet ku propozohet të zhvillohet votimi elektronik për zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvendin e Shqipërisë, të bashkangjitet Qarku Tiranë, për arsyet e më poshtme: Qarku Tiranë, është qarku me peshën të madhe politike dhe elektorale kështu e ne e shohim si domosdoshmëri vendosjen e identifikimit, votimit dhe numërimit elektronik në Tiranë. Tirana, ofron lehtësi logjistike dhe njerëzore për shkak të terrenit, infrastrukturës rrugore dhe zyrave të KQZ, të cilat ndohen në Tiranë. Tirana, ka kryer e para modelin pilot të identifikimit, votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2021, njësia 10, i cili rezultoi i suksesshëm. Votimi dhe numërimi elektronik në Tiranë, bën më të thjeshtë përpunimin e rezultatit përfundimtar si dhe ofron një proçes të drejtë zgjedhor, duke mënjanuar komisionerët politikë të cilët krijojnë vonesa në proçes për shkak të lodhjes apo tensioneve midis palëve,"-shkruhet në letrën e dërguar nga LZHK-së.
Disa ditë më parë, kreu i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i dërgoi letër partive ku i bënte me dije se në zgjedhjet e 2025, votimi elektronik nuk mund të realizohet në 5 qarqe. Në letrën e bërë publike tashmë, KQZ "zotohet" që votimi elektronik të bëhet vetëm në 2 qarqe; në Durrës dhe në Elbasan. Po ashtu, për Celibashin, datat më të mira kur mund të mbahen zgjedhjet është periudha nga 20 prilli deri në 11 Maj. Duke llogaritur këtë hark kohor, KQZ ka dalë në përfundimin se nuk kanë kohë të mjaftueshme për përgatitjen e gjithë elementëve që të implementojnë votimin elektronik në të gjitha (12) qarqet e vendit./ZËRI