
TIRANË- Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali ka folur për arrestimin e kryebashkiakut të kryeqytetit, Erion Veliaj. Në një prononcim të dhënë për "Kjo Javë", Spiropali është shprehur se ndjen keqardhje për arrestimin e tij. Por sa i përket mungesës së tij në kohën e një fushate elektorale, Spiropali shtoi se socialistët mbeten të bashkuar.
PJESË NGA INTERVISTA:
Sa e ndjeni mungsën e Veliaj?
Spiropali: Pa diskutim që Erioni është me kontribute të spikatur në PS, sidomos në qarkun e Tiranës. Nuk mund të thuash ndryshe dhe kush thotë ndryshe nuk është i sinqertë. Uroj që të provojë pafajësinë e tij. Keqardhje e madhe si një njeri që ka punuar me të. Presim që organet e drejtësisë të bëjnë drejtësi, në kuptimin që të respektojnë procedurat ligjore dhe siç e kemi shprehur në vijimësi, ne besojmë për një drejtësi të pavarur, kemi investuar për një drejtësi të pavarur. Pandëshkueshmëria ka pësuar një zmbrapsje fatale dhe është pa kthim.
A e ka dëmtuar fushatën mungesa e Veliajt?
Spiropali: Nuk mund të bëjmë llogari dhe parashikime të tilla. Ajo që mund të them është se po punojmë si ekipi dhe ndërtojmë strategjitë tona elektorale. Ne flasim përmes punëve tona dhe ndryshimet që kanë ndodhur në Tiranë, falë mbështetjes së Edi Ramës dhe punës së Bashkisë.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën "arrest me burg", ndërsa Xoxa në "detyrim paraqitje", ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në "arrest shtëpie" dhe "detyrim paraqitje."/ZËRI