Politikë

600 milionë euro për Shqipërinë/ Macron: Po ndreqim gabimet e së shkuarës, jo zgjerim po bashkim

Presidenti francez theksoi se Europa nuk po i bën asnjë dhuratë Shqipërisë për procesin e integrimit, dhe se Ballkani Perëndimor duhet të jetë sa më shpejt pjesë e unionit

E.K
600 milionë euro për Shqipërinë/ Macron: Po ndreqim gabimet
Macron ne konference

TIRANË- Presidenti francez Emmanuele Macron tha se shteti që ai përfaqëson do të ofrojë mbështetje për Shqipërinë, në disa projekte të rëndësishme që lidhen me energjinë e rinovueshme, ndërtimin e Liceut në Korçë, por edhe investime në turizëm. Në total deri në vitin 2027, Franca pritet që të mbështesë Shqipërinë me grante deri në 600 milionë euro. Macron tha se ai po ndreq gabimet e të shkuarës që shteti që përfaqëson ka bërë jo vetëm me Shqipërinë por me të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti francez theksoi se Europa nuk po i bën asnjë dhuratë Shqipërisë për procesin e integrimit, dhe se Ballkani Perëndimor duhet të jetë sa më shpejt pjesë e unionit, për të shmangur ndikime nga faktorë të tretë.

Macron në konferencë me Ramën: Faleminderit shumë, zoti kryeministër, i dashur Edi, zonja dhe zotërinj ministra, unë mund të them që jam i lumtur që jam këtu, pa bërë asnjë përkujdesje diplomatike. Jam i lumtur që jam sot në krahun tënd, në një moment të vështirë të Europës, me luftën në Ukrainë, në Kaukaz, me terorizmin që ka goditur Belgjikën dhe Suedinë, mendimet e mia shkojnë për ta.

Vizita ime korrigjon një gabim, ishte momenti që një president francez të vinte dhe të bënte një copë rrugë me ju, dua të shoh nga e ardhmja, ne kemi vullnetin që të respektojmë kulturën që na lidh, jam shumë krenar që dekorova zotin Ismail Kadare, për darkën që na servire me zotin Tedi Papavrami, kjo shpreh marrëdhënien e fortë që ekzsiton mes vendeve tona, marrëveshja për kinemanë tregon këtë.

Faleminderit që na rezervuat vilën 31, shpresoj që kjo rrugë të vijojë me forcimin e gjuhës frënge, dhe ecim bashkërisht për Liceun e Korçës, besoni te unë. Javën e kaluar janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme për energjitë e rinovueshme, në logjistikë dhe në infrastrukturën aeroportuale.

Shpresoj që të jemi pranë jush edhe për turizmin, që ju të formoni të rinjtë me zanatet e të ardhmes në fushën e turizmit. Ne kemi dhënë gadishmërinë që të hapim shkollën për zanatet dixhitale. 210 milionë euro janë hedhur nga viti 2019 për 4 projekte, dhe më shumë se 600 milionë do të hidhen për projekte të reja që ju do të keni si prioritet deri në 2027. Më vjen mirë për bashkëpunimin që kemi pasur kundër kriminalitetit, do të vazhdojmë të ecim para. Vendi juaj është ankoruar në Europë, dhe jo në këtë vend ku tentuan që t'ju izolonin disa herë.

Ju jeni një popull që e doni Europën, nuk është një bashkim i imponuar nga Brukseli, sepse nëse e shohim kështu nuk do të ketë asnjë vlerë, është momenti që t'ju themi ju se e ardhmja juaj është në BE. Ne e shënojmë këtë rrugë si një udhëtim mes kolegësh. Ky ribashkim është i mirë për ne, sepse kush mund të flasë për një Europë të fuqishme, që në mes të saj të lëmë shtete që kanë ndikime të tjera.

Po e them këtu me shumë përulësi, nuk është një dhuratë që po i bëhet Shqipërisë, është mirë për ju dhe për ne, është një zgjedhje gjeopolitike. Ju keni guximin për të çuar para reformat, dhe po e themi në një vend që ka jetuar për shumë kohë në diktaturë. Detyra jonë është tju shoqërojmë në këtë rrugë, shpresoj të dimë të gjejmë ne si europianë rrugën e bashkimit.

Unë ndjej forcën e ëndrrës evropiane tek ju. Dua të citoj një autor që nuk është Kadare, por Milan Kundera, ju bëni pjesë në këtë Perëndim që iu është rrëmbyer fillimisht nga Perandoria Osmane e më pas nga diktatura komuniste. 

Gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama u shpreh i lumtur për vizitën e Macron, dhe tha se Shqipëria nuk ka nevojë për një datë për Integrimin. “Ne na duhet vendi ynë”, tha Rama./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB