
TIRANË-Socialisti Damian Gjiknuri, i cili negocioi me Oerd Bylykbashin, lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, tha në komisionin parlamentar të Ligjeve se koalicionet parazgjedhore lejohen sipas formatit që e lejon Kodi. Gjiknuri tha se nuk ka asnjë vend ku lejohen koalicionet sikundër ishte në Shqipëri, lokomotiva me vagona nga pas, dhe sipas tij kjo është çështje e mbyllur.
“Koalicionet lejohen, tani që janë edhe listat e hapura mund të aplikohet, brenda atij formati. Çështja e koalicioneve sikundër ka qenë është e mbyllur, nuk kthehemi mbrapa”, tha Gjiknuri.
Lidhur me votimin elektronik, ai tha se mund të aplikohet në 5 qarqe, por edhe kjo ka një afat kohor, sepse duhet që të merren masat.
“Nëse nuk realizohet, atëherë kemi letrën. Ne jemi të hapur edhe për votimin elektronik, mund ta aplikojmë në 5 qarqet kryesore”, tha ai.
Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord në parim për një draft të dakordësuar për votën e Diasporës. Sipas draftit palët kanë rënë dakord që emigrantët, duhet të bëjnë kërkesë për të votuar pranë Gjendjes Civile dhe KQZ-së dhe duhet të paraqesin dokumentet e një adrese të saktë. palët gjithashtu kanë rënë dakord që 2/3 e listës së deputetëve të jetë e hapur dhe 1/3 të jetë ekskluzivitet i kryetarit të partisë./ZËRI