
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të mos përballet me opozitën, për çështjen Ahmetaj, pas kërkesës për interpelancë nga deputetët e grupit të Lulzim Bashës. Rama ia ka deleguar të drejtën për t’u përgjigjur Elisa Spiropalit.
“Kryeministri ka angazhime më të rëndësishme gjatë ditës së sotme, dhe për këtë ia ka deleguar fjalën ministres së shtetit për marrëdhënien me parlamentin Elisa Spiropali”, u shpreh Nikolla gjatë seancës.
Ndërkohë që deputeti Arbi Agalliu nuk pranoi që inteperlanca të vijonte me Spiropalin, duke kërkuar praninë e Ramës.
Sipas tij “Rama sot nuk mund të fshihet as mbas Elisës, as mbas vizitës së sekretarit Blinken”.
Në përgjigje të tij kryeparlamentarja Nikolla theksoi se kryeministri ka angazhime më të mëdha sot.
“Kërkesa e parë nuk përmbushte kushtet e rregullores. Ishte firmosur vetëm nga ju (Agalliu) dhe jo nga 7 deputetë. Pasi erdhi konform rregullores menjëherë u fut në seancën plenare. Kryeministri ka angazhime më të mëdha sot ndaj ia ka deleguar ministres Spiropali zhvillimin e interpelancës. Kjo nuk është sipas dëshirës tuaj, kjo është me rregull”.
/ZËRI