Politikë

Akulloret me përbërje kancerogjene/ Ministria e Bujqësisë shpjegon situatën dhe HAPAT e ndjekur

Ndërsa më pas, shton Civici ato janë asgjesuar sipas rregullave të përcaktuara

E.K
Akulloret me përbërje kancerogjene/ Ministria e Bujqësisë
Foto ilustruese

TIRANË- Ministria e Bujqësisë ka reaguar këtë të enjte në lidhje me importimin e akulloreve nga Franca me prani të oksid etilenit, i cili shkakton kancer dhe leucemi. Zëvendësministri i Bujqësisë, Enio Civici, bën me dije se menjëherë pas marrjes së informacionit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë të gjitha masat dhe ka lajmëruar konsumatorët që të mos e konsumonin. Më pas ka nisur dhe inspektimin nëpër ato ambiente tregtare, të cilët ishin identifikuar që e kishin marrë dhe e tregtonin. Ndërsa më pas, shton Civici ato janë asgjesuar sipas rregullave të përcaktuara. Deklaratën e bëri në një prononcim për TCH.

Enio Civici: Mund të iu them se çfarë ka ndodhur në atë kohë nga AKU. Ka informuar menjëherë të gjithë konsumatorët që mos ta konsumonin dhe nëse përballeshin me të, ta denonconin. Njëkohësisht ka nisur dhe inspektimin nëpër ato ambiente tregtare, të cilët ishin identifikuar që e kishin marrë dhe e tregtonin. Më pas i ka asgjesuar siç janë rregullat. Konsumatorët duhet të jenë vazhdimisht të informuar nga lajmërimet që bën AKU. Për të parë etiken e atij produktin, të dhënat dhe kushtet me të cilat tregtohet. Në rast se has ndonjë parregullësi ta denoncojë.

Çfarë tha dy ditë më parë kreu i KLSH-së në Komisionin e Ekonomisë?

Një ditë më parë kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu zbuloi në Komisionin e Ekonomisë dhe Veprimtarisë Prodhuese se janë konsumuar 13.2 ton akullore me oksid etileni, teksa produktet janë shitur kryesisht në: Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Berat, Lushnje, Korçë, Shkodër, Sarandë, Krujë, Burrel, Peshkopi, Tropojë, Lezhë.

Por çfarë ka ndodhur me akulloret?

Në gusht të vitit 2021 u dha alarmi për një sasi prej 36 ton akullore kancerogjene, të cilat deri vonë tregtoheshin edhe në Shqipëri. Në këto produkte u konstatua prania e oksid etilenit më e lartë se norma e lejuar. Pas alarmit të dhënë nga institucionet e huaja, AKU bëri me dije 11.7 ton akullore ishin shitur dhe konsumuar, ndërsa rreth 20 ton të tjera ndodheshin ende në magazinat e subjekteve importuese dhe janë asgjësuar nga AKU.

Por në 10 nëntor të të njëjtit vit, nga një auditim, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mosveprime të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe ka depozituart në SPAK një kallëzim për “shpërdorim detyre”. Megjithatë, edhe pse dosja është ende në SPAK, çështja ende nuk është finalizuar nga hetuesit të Prokurorisë së Posaçme.

Oksid etileni është ndër shtatë përbërësit kryesorë të fshehur në produktet kozmetike që gjendet zakonisht gjendet në aromë dhe shampo. Kjo përbërje dihet të ketë efekte të dëmshme në shëndetin e njeriut. Administrata e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë (OSHA) shpjegon se ekspozimi kronik shoqërohet me formimin e kancerit, efektet riprodhuese, ndryshimet mutagjene, neurotoksicitetin dhe sensibilizimin. Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin gjithashtu klasifikon oksidin etilenit si një kancerogjen./ZËRI

Poll

MOS HUMB