Politikë

Takimet mes PD dhe PS, Spiropali i përgjigjet Alibeajt: S'negociojmë fshehurazi

Spiropali nënvizon se nuk kanë penguar ngritjen e komisioneve hetimore dhe se kanë refuzuar pseudo-komisione në shkelje të Kushtetutës. 

a.l
Takimet mes PD dhe PS, Spiropali i përgjigjet Alibeajt:
Elisa Spiropali

TIRANË- Partia Socialiste ka reaguar pas akuzave të ekretarit të Përgjithshëm të PD së vulës, Enkelejd Alibeajt, i cili në një deklaratë zyrtare tha se opozita dhe PS janë duke bërë "pazare". Kështu, po me një reagim publik, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali sqaroi Partia Socialiste nuk ka asgjë për të negociuar fshehurazi. Diskutimet dhe takimet që janë pohuar nga PD, Spiropali i cilësoi si "hamendje mediatike", duke shtuar se janë pa asnjë bazë. Në tekstin e publikuar në rrjetet e saj sociale, Spiropali ironizoi edhe Partinë Demokratike, tashmë e ndarë në 2 kampe. 

"Partia Socialiste nuk ka çfarë negocion fshehurazi me opozitat kuvendore. Hamendjet mediatike lidhur me një negociatë sipas disave për të qetësuar harbimin e rrugicës së dëshpërimit apo sipas disa të tjerëve për të vrarë të vetëvrarin Lul janë pa asnjë bazë. Konkretisht: 1. Ne kurrë s’kemi penguar ngritjen e komisioneve hetimore, po bazuar në udhërrëfimet e Gjykatës Kushtetuese kemi refuzuar të votojmë për pseudo-komisione në shkelje të Kushtetutës. Çdo kërkesë për komision hetimor brenda kornizës kushtetuese është i mirëseardhur. 2. Sa për Komisionin e Reformës Zgjedhore opinioni ynë është publik dhe është shprehur ka kohë edhe nga vetë kryeministri. Thelbi është i thjeshtë fare: Komision Bipartizan me shumë Partiskanë ku secili do të nxjerrë nga qeleshja e vet një reformë sipas oreksit të vet, nuk kemi se si gënjejmë veten se bëhet dot. Kështu që edhe po të donim të negocionim gjësendi me rrugicën e dëshpërimit nuk do ta gjenim dot çfarë mund të ishte, ndërkohë që në Parlament ne shkojmë për të votuar ligje, ndërsa opozitat për t’i debatuar ato me ne. Kur opozitat s’duan të debatojnë po të harbojnë, ne votojmë dhe vazhdojmë punët e tjera. Kaq është e gjitha dhe megjithë keqardhjen e madhe për degradimin e opozitave, nuk kemi asnjë mundësi t’u vijmë në ndihmë as atyre që ulërijnë nga pagjumësia, as atyre që flasin në gjumë", tha ajo.

Maxhoranca dhe opozita janë ulur në negociata. Në takimin që është mbajtur sot në Kryesinë e Kuvendit, dhe ka zgjatur mbi 3 orë, kanë qenë të pranishëm Bledi Çuçi, Gazment Bardhi, Dashamir Shehi dhe Mesila Doda. Në këtë takim, ku janë reflektuar dhe thirrjet e ndërkombëtarëve për rikthimin në normalitet të punës së Kuvendit, Bardhi dhe Cuçi kanë shprehur vullnetin për të gjetur gjuhën e përbashkët. Pas takimit që kanë pasur me kryetaren e Kuvendit, Bardhi dhe Çuçi kanë pasur dhe një bisedë ‘kokë më kokë’, ku kanë diskutuar pikat që secila palë mund të lëshojë, për rikthimin e Kuvendit në normalitet. Lajmi për negociatat u konfirmua në heshtje dhe nga vetë Gazment Bardhi. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB