Politikë

Konfirmohet takimi, PS dhe Rithemelimi pranë marrëveshjes për funksionimin e Kuvendit. Revoltohet grupi i Bashës

Palët janë ulur në diskutime, dhe sipas burimeve kanë shprehur vullnet për arritjen e një marrëveshjeje

E.K
Konfirmohet takimi, PS dhe Rithemelimi pranë marrëveshjes për
Lindita Nikolla, Gazment Bardhi dhe Bledi Çuçi

TIRANË- Pas afro 5 muajsh nga radikalizimi i aksionit të opozitës në Kuvend, gjakrat tashmë duket se do të ulen, ndërsa konfirmohet një takim i thirrur nga Lindita Nikolla, në të cilin kanë marrë pjesë krerët e grupeve parlamentare. Në takimin që është mbajtur në Kryesinë e Kuvendit, dhe ka zgjatur mbi 3 orë, kanë qenë të pranishëm Bledi Çuçi, Gazment Bardhi, Dashamir Shehi dhe Mesila Doda.

Në këtë takim, ku janë reflektuar dhe thirrjet e ndërkombëtarëve për rikthimin në normalitet të punës së Kuvendit, Bardhi dhe Cuçi kanë shprehur vullnetin për të gjetur gjuhën e përbashkët. Pas takimit që kanë pasur me kryetaren e Kuvendit, Bardhi dhe Çuçi kanë pasur dhe një bisedë ‘kokë më kokë’, ku kanë diskutuar pikat që secila palë mund të lëshojë, për rikthimin e Kuvendit në normalitet.

Lajmi për negociatat u konfirmua në heshtje dhe nga vetë Gazment Bardhi. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu mbrëmjen e djeshme, nëse po bën negociata të fshehta me kreun e grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi, Bardhi nuk e mohoi diçka të tillë, por tha se nuk ka asnjë kulisë.

Sipas Bardhit ai ka kërkuar që nga dita e parë zbatimin e Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, por që nga nisja e aksionit opozita vetëm ka humbur terren edhe ligjërisht. Kjo për shkak se mazhoranca ka miratuar e vetme ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore parlamentare, një kërkesë e kahershme e opozitës, si dhe ka ashpërsuar dënimet për deputetët që kryejnë akte të dhunshme në sallë.

“Nuk ka asgjë sekrete në qëndrimin e PD që nga dita e parë që vullneti ynë ka qenë për një parlament që funksionon. Kemi qenë për dialog me mazhorancën, por me një kusht që është respektimi i Kushtetutës. A po negocioj me organet brenda parlamentit për funksionimin normal të tyre? E kam bërë nga dita e parë dhe do të vazhdoj ta bëj.

Nuk ka kulisa. Nuk ka kulisa mbrapa. Beteja që po bëjmë ne është betejë për të drejtat e opozitës. Është betejë për komisionet hetimore dhe jo që të marrim ne ndonjë gjë. Janë të drejta kushtetuese të opozitës që opozita po lufton për t’i fituar. Është në vullnetin e mazhornacës që të respektojë të drejtat e opozitës”, u shpreh Bardhi mbrëmjen e djeshme. 

Ndërkohë që pas zhvillimeve të ditës së sotme, nuk ka vonuar as reagimi nga grupi i Lulzim Bashës. Përmes Enkelejd Alibeajt, grupimi i Bashës shprehet se nuk do të bëhet pjesë e asnjë pazari për Reformën zgjedhore.

Reagimi i Alibeajt: Dy sqarime që publiku ka nevojë t’i dijë lidhur me negociata sekrete apo marrëveshje okulte të përfolura në media:

1. PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore. Në media referuar burimeve nga PS dhe grupi i Sali Berishës, është bërë e ditur se ka një dakordësi për të dështuar Komisionin e Reformës Zgjedhore në mënyrë që çështja të kalojë në Komisionin e Ligjeve ku socialistët kanë vendimarrjen me shumicë votash e sidomos ku opozitës i mohohet e drejta e Vetos, si garanci që PS të mos bëjë ligj zgjedhor të njëanëshëm duke peshkuar vota opozitare. Dihet se ata janë kundër votës së diasporës, votimit elektronik, listave të hapura, një zone elektorale. Nëse kjo është e vërtetë ky është një pazar në kurriz të shqiptarëve dhe për interesa të dy individëve që duan të mbajnë peng Shqipërinë, Rama dhe Berisha.

2. Në emër të PD nuk mund të flasë asnjë i emëruar apo i dëshiruar i Edi Ramës.

Komisioni për Reformën Zgjedhore ka qenë dhe molla e sherrit mes PD-së së Berishës dhe PS-së. Kjo për shkak se PD kërkoi ndryshimin e bashkëkryetarit të këtij komisioni, duke zëvendësuar Enkelejd Alibeajn me Oerd Bylykbashin. Kjo kërkesë nuk u pranua nga mazhoranca, dhe tashmë Komisioni i Posaçëm për Zgjedhoren është duke i mbajtur mbledhjet online, pa pjesëmarrjen e një pjese të mirë të opozitës.

Radikalizimi i aksionit të opozitës në Kuvend përkoi dhe me hetimet e SPAK për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij. Tashmë rreth 5 muaj më pas, opozita nuk ka arritur asnjë prej pikave që vuri si kusht ndaj mazhorancës, e megjithatë Bardhi ka pranuar në një mënyrë apo një tjetër, se janë në negociata. Por a do ja vlejë barra qeranë, për atë që do të marrin në këmbim të rikthimit të Kuvendit në normalitet?

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB