
TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të vulës, Enkelejd Alibeaj pretendon se mes opozitës dhe maxhorancës po bëhen "pazare". Në një deklaratë për shtyp, Alibeaj pretendon se të dyja palët, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike po diskutojnë për Reformën Zgjedhore dhe mbarëvajtjen në Kuvend, të cilat ai i cilëson si 'negociata okulte'. Kur në fakt, sipas tij, demokratët që janë në Komisionin e Refomës Zgjedhore ku edhe ai është bashkëkryetar, i kanë bërë propozimet e tyre. Ndaj edhe akuzoi mazhorancën se nuk do që procesi zgjedhor të bëhet me lista të hapura dhe votim elektronik. Po ashtu, shtoi se socialistët nuk duan as votën e diasporës. Ndaj edhe deklaratën e tij e mbylli me një pyetje: A do PS që të dështojë Komisioni?
DEKLARATA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD DHE BASHKËKRYETARIT TË KOMISIONIT PËR REFORMËN ZGJEDHORE, ENKELEJD ALIBEAJ
Tre ditë më parë i jam drejtuar me një thirrje publike partisë socialiste për të sqaruar në interes të publikut një çështje krzesore: a janë duke kërkuar dështimin e reformës zgjedhore? A janë duke kërkuar që çështja e reformës zgjedhore të ikë nga komisioni i reformës zgjedhore ku palët janë të barabarta në kushte barazie dhe të kalojë pastaj në komisionin e ligjeve, ku partia socialiste ka shumicën e ku me votat e saj mund të ndërmarrë çfarëdolloj iniciative të njëanshmë, për sa kohë që opozitës i hiqet garancia e vetos. Sot përfitoj nga rasti t’i bëj të njëjtën thirrje: a po kërkon partia socialiste të dështojë komisionin e reformës zgjedhore? A po kërkon ta çojë çështjen në komisionin e ligjeve, atje ku ka shumicën dhe nëpërmjet peshkimit të votive opozitare, të mund të ndërmarë iniciativa të njëanshme e ku opozitës i mungon garancia, siguresa e vetme që është vetoja kundër çdo iniciative të njëanshme. Unë e di, publiku e di në fakt që partia socialiste nuk i ka dsashur listat e hapura, që partia socialiste nuk e do votën e diasporës, votën e gjysmës së shqiptarëve jashtë teritorit. E di që partia socialiste nuk e do që Shqipëria të jetë një zonë zgjedhore që vota e shqiptarëve në veri a në jug të jetë e barabartë. Sepse do që nëpërmjet këtij sistemi të marrë në mënyrë jo të drejtë më së paku 6-7 mandate në tavolinë. E di që partia socialiste nuk e do votimin dhe numërimin elektronik. Ndaj pyetja që unë kam edhe njëherë për përfaqësuesit e partisë socialiste është: përse nuk i duan listat e hapura, përse nuk duan t’u japin shqiptarëve të drejtën që ata të zgjedhin përfaqësuesit e tyre? Përse duan ta ruajnë me çdo kusht marrëveshjen famëkeqe të 2008-ës? Përse nuk duan që shqiptarët jashtë Shqipërisë të dëbuar nga kjo mazhorancë të mos votojnë? Përse nuk duan që vota e shqiptarëve të jetë e barabartë? Përse nuk duan që vota e shqiptarëve të votohet dhe të numërohet elektronikisht? Media ka thënë, ka folur që negociata apo pazare okulte janë duke u zhvilluar, ndaj ky është një interes public që partia socialiste ta bëjë të ditur këtë gjë. Në komisionin e reformës zgjedhore, Partia demokratike ka përfaqësuesit e vet. Aty është vendi se ku debatohen të gjitha alternativat dhe të gjitha pozicionet. Ne i kemi çuar prej kaq e kaq muajsh të gjitha opsionet tona, të gjitha alternativat tona, dreftligjin përlatës, për listat e hapura, për Shqipërinë një zonë, për votën e diasporës, për votimin dhe numërimin elektronik dhe për një sërë garancish të tjera që procesi zgjedhor dotë duhet të ketë. Ndaj, një orë e më parë tashmë ku letrat janë hapur, partia socialiste do të duhet ta tregojë, do ta dështojë komisionin e reformës zgjedhore, do të bëjë një marrëveshje okulte, do të bëjë një marrëveshje të njëanshme, do ta çojë çështjen në komisionin e ligjeve, do të bëjë një ligj të njëanshëm sipas orekseve dhe shijeve të saj? Kjo është ajo se çfarë publiku kërkon, zgjedhësit kërkojnë, Shqipëria kërkon. Ndaj është një përgjigje që duhet dhënë një orë e më parë.
Situata në Kuvend pritet që të kthehet në normalitet pasi nesër raportohet se do të zhvillohet takimi i parë në nivel kryetarësh të grupeve parlamentare. Gjatë ditës së nesërme do të ketë një takim mes Gazment Bardhit, Bledi Çuçit, dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla, në orën 13.30, në mbledhjen e konferencës së kryetarëve. Në këtë mbledhje pritet që të diskutohet mbi axhendën në Kuvend, ku do të reflektohen kërkesat e grupit të Rithemelimit, përfshirë atë për ngritjen e grupeve parlamentare, si dhe zëvendësimin e bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Zgjedhore. Deri më tani mendohet se PS ka rënë dakord për ngritjen e 2 Komisioneve Hetimore, por asgjë nuk është konfirmuar. Kundër këtyre negiociatave është shprehur grupi i Lulzim Bashës, të cilët e kanë konsideruar pazar në kurriz të Reformës Zgjedhore, atë që po ndodh mes Çuçit dhe Bardhit./ZËRI