
TIRANË-Partia Socialsite po zhvillon mbledhjen e grupit, ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë në fjalën e tij ka vendosur në fokus komisionin e posaçëm parlamentar për “Antikorrupsionin”, i cili sipas tij u parapërfytyrua padrejtësisht si një përpjekje e socialistëve për të kontrolluar drejtësinë. Më tej Rama në ambientet e Kuvendit, prezantoi disa nga arritjet e qeverisë dhe institucioneve në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rama: Nuk dua të marr kohë duke u kthyer në çfarë u tha dhe sa u tha deri në momentin e ngritjes së këtij komisioni, i cili shumë padrejtësisht u parafytyrua si një përpjekje e Partisë Socialiste për të vënë në kontroll drejtësinë, por dua të shtjelloj pak më gjerë arsyet e mëdha për Pse-në e ngritjes së komisionit të Posaçëm Parlamentar dhe domosdoshmërinë e një dallge të re reformash, të cilat nuk lidhen vetëm dhe drejtpërdrejtë me qeverinë, por edhe me institucionet e pavarura. Dhe e gjithë lënda për të kuptuar nismën gjendet në dokumentet e formuluara gjatë dhe në fund të procesit të diagnostikimit të Shqipërisë pas hapjes së negociatave, një proces që në gjuhën e Bashkimit Europian quhet Screening, që mundëson leximin deri në qelizë të gjendjes së organizimit të shtetit dhe sigurisht pasohet nga recetat për të kuruar deri në fund atë organizëm, duke mundësuar që përgatitja për anëtarësimin e shtetit në këtë rast të Shqipërisë në Bashkimin Europian të përfundojë me një diagnozë plotësisht të qartë dhe të suksesshme. Ka qenë një proces që ka zgjatur për 14 muaj dhe në këtë janë përfshirë 157 institucione, sepse rëndom krijohet ideja e gabuar që negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian janë negociatat e qeverisë me Bashkimin Europian.
Në fakt, qeveria udhëheq procesin, qeveria ka një pjesë të rëndësishme të punës për ta bërë vendin të gatshëm për anëtarësim, por Bashkimi Europian nuk negocion me qeverinë, Bashkimi Europian negocion me shtetin shqiptar dhe 157 institucione janë pjesë të gjithë përbërjes së skuadrës tonë kombëtare që negocion me Bashkimin Europian. Janë përfshirë në këtë listë dhe përfshihen në këtë proces 32 institucione të pavarura për të siguruar që diagnoza të shkojë deri në qelizë, procesi ka një numër të jashtëzakonshwm për nga intensiteti, takimesh mes palëve dhe janë takime të drejtpërdrejta shpjeguese. Janë bërë 67 të tilla në Bruksel, janë takime koordinuese 114 të tilla në harkun e 14 muajve, 777 prezantime janë bërë nga ana e Shqipërisë në tryezën e bisedimeve dhe 232 takime të grupeve ndërinstitucionale të punës. Pra, të gjitha këto shifra janë të nevojshme për të lexuar të gjithë panoramën dhe kjo panoramë është e nevojshme për të kuptuar më pas, Pse-në e këtij komisioni të Posaçëm Parlamentar.
Për të hyrë pak më tutje në përmbajtje, dua të prek një pjesë të prezantimeve thjeshtë me qëllimin që të gjithë të krijojmë një pamje të shtrirjes dhe thellësisë së procesit të diagnostikimit. Janë një sërë kapitujsh, duke filluar nga themelorët, ato që quhen themelorët dhe që kanë si tematika kryesore të transformuara në prezantime, politikat publike, antikorrupsionin, masat parandaluese dhe ndëshkuese dhe ndërgjegjësimin publik, parandalimin e korrupsionit në lidhje me deputetwt, gjyqtarët dhe prokurorët, deklarimin dhe kontrollin e aseteve, shërbimet publike, prokurimin publik, biznesin privat, sepse procesi i negociatave nënkupton, jo vetëm përfshirjen e drejtpërdrejtë të të gjithë shtetit në këtë cikël me raunde të pafundme bisedimesh, por edhe përfshirjen e të gjithë mënyrës së funksionimit të biznesit në një shtet në lupën e Komisionit Europian dhe masat përkatëse që shteti duhet të marrë në mënyrë që edhe biznesi të integrohet brenda kornizës së përgjithshme të funksionimit të një shteti anëtar të Bashkimit Europian, - hetimin financiar, rritjen e bashkëpunimit të organeve ligjzbatuese në luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, shërbimin e koordinimit kundër mashtrimit, bashkëpunimin me OLAF-in që është struktura e Bashkimit Europian që merret me monitorimin e subvencioneve të bujqësisë, vazhdojmë më tutje me tregun e brendshëm, mbikqyrja e tregut, mbrojtja e konsumatorit, konkurueshmëria dhe ndihma shtetërore, akreditimi, standardizimi, procedurat e regjistrimit dhe licencimit të biznesit, pastrimi i parave, tregu financiar dhe ai i kapitaleve, tregu i punës dhe inspektoriatet, sigurimet shoqërore, sektorët postarë dhe të dërgesave, të drejtat e pronësisë industriale, më tutje janë temat e konkurueshmërisë me digjitalizimin e shërbimeve publike, me shërbimet doganore, me tatimet dhe këtu te tatimet ka një sërë aspektesh, me arsimin, shkencën, kërkimin shkencor, sistemin e kujdesit shëndetësor, aksesin në tregun e punës në politikën monetare dhe të tjera akoma.