TIRANË- Me shumicë votash socialistët votuan sot për ndryshimin e rregullores së Kuvendit e cila parashikon ashpërsimin e masave për deputetët që ndezin flakadanë apo zjarr në sallë. Miratimi u bë pa konsensusin e opozitës, dhe për këtë kreu i grupit parlamentar në PD, Gazment Bardhi paralajmëroi një padi në Gjykatën Kushtetuese.
Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Bledi Çuçi u shpreh i prerë se këto ndryshime do të vihen në zbatim. Çuçi u pyet dhe për qëndrimin që do të mbajnë socialistët sa i takon kërkesës së SPAK, që i kërkoi Kuvendit arrestimin e Sali Berishës.
Në një prononcim për gazetarët pas përfundimit të seancës, ai tha se “pensionisti në krye të PD ka marrë peng të gjithë, por jo mazhorancën”.
“Pa diskutim, qëndrimi jonë është i prerë në këtë pikë. Ne nuk kemi diskutuar mandatin e kolegëve tanë kur SPAK kërkon një gjë të tillë në parlament. Ne do ta votojmë pro kërkesës së SPAK”, tha Bardhi.
Ndërsa i pyetur për përjashtimin e Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, dha këtë përgjigje: “Ben Ahmetaj nuk është në Shqipëri, është çështje e drejtësisë. Shumë shpejt do merret vendimi edhe nga grupi.
Ne jemi në ushtrim të plotë të sovranitet që na kanë deleguar qytetarët dhe do vazhdojmë ta ushtrojmë. Është qesharake të mendosh që Bardhi do vijë të votojë heqjen e imunitetit të Berishës”.
Të hënën në Këshillin e Mandateve në Kuvend pritet që të vendoset mbi kërkesën e SPAK për t’i hapur rrugën arrestimit të Sali Berishës, nën akuzën e korrupsionit.
/ZËRI