
TIRANË- Ymer Marku kërkohet nga Prokuroria e Tiranës për t'u vendosur në pranga, pasi akuzohet se ka tjetërsuar 7500 metra katrorë tokë në Bërxullë, e cila është shitur për 10 milionë lekë të reja tek kompania e nipit të Sadri Abazit, Arbër Abazi. Por edhe pse ndaj tij Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë "arrest me burg", nuk ka arritur që ta lokalizojë ish-kryekomunarin e Bërxullës. Madje jo vetëm Prokuroria. Ish-kandidati i Lulzim Bashës në zgjedhjet e Vorës, nuk është parë më në publik që në mars të vitit 2022. Edhe në rrjetet e tij sociale është zhdukur. Herën e fundit që ka postuar ka qenë po në mars të atij vitit, disa ditë para zgjedhjeve, ku "reklamon" punën e tij si ish-kryekomunar të Bërxullës. Që nga ajo ditë, nuk është parë më në publik, madje as Prokuroria e Tiranës nuk e ka gjetur.
Vetëm se Ymer Marku, nuk e ka abuzimin e parë këtë të tjetërsimit të 7500 metër katrorë tokë. Ai është një personazh i njohur për lidhjet me krimin, të cilit së fundi me urdhër të SPAK i janë sekuestruar një sërë pasurish. Por pavarësisht kësaj, Marku kandidoi nën siglën e PD-së në vitin 2022, ndërkohë që vetë Lulzim Basha do të shfaqej krah tij për të kërkuar vota.
Edhe më herët, ZËRI e sjell rastin e Markut, duke evidentuar faktin se Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Marku nuk ka arritur të justifikojë burimin e krijimit të pasurive së tij. Sipas këtij institucioni janë pesë objekte pasurore që nuk janë deklaruar saktë nga Marku dhe që kapin vlerën e 22 milionë e 656 mijë lekëve. Pasuritë e padeklaruara saktë të Markut, sipas ILDKP-së, janë një Bar-Restorant në Domje që kapte një vlerë prej mbi 12 milionë lekësh por ishte deklaruar mbi 7 milionë lekë më pak, një automjet të deklaruar mbi 800 000 lekë më pak se sa vlera reale që kishte dhe disa depozita bankare.
LISTA E PASURIVE TË PAJUSTIFIKUARA TË MARKUT
-Bar-Restorant Domje, vlera e deklaruar nga subjekti është 5.000.000 leke të reja. Nga Raportit të Vlerësimit të datës 03.02.2010 të ekspertit vlerërues, rezulton se prona objekt shqyrtimi është vlerësuar në shumën 12.591.000 lekë të reja. Pra, është deklaruar 7.591.000 lekë të reja më pak.
-Autoveturë deklaruar 1.500.000 lekë të reja. Nga hetimi administrativ ka rezultuar që ky automjet është blerë në shumën 19.375 euro ose e vlerësuar me kursin e Bankës së Shqipërisë, në shumën 2.359.488 lekë. Pra, është deklaruar 859.788 lekë më pak.
-Depozita bankare dhe llogari rrjedhëse në Tirana Bank, në shumat në total 11.340 euro.
-Depozitë afatshkurtër në vitin 2006 shuma 71.700 euro, (derdhur dhe tërhequr brenda vitit).
-Depozitë afatshkurtër në vitin 2007, në llogarinë në lekë shuma prej 4.500.000 lekë të reja (derdhur dhe tërhequr brenda vitit).
Pikërisht këto prona janë vënë nën sekuestro nga SPAK, ndërsa hetimet vijojnë. Tashmë janë të shtrira edhe në Prokurorinë e Tiranës, por as ky institucion nuk po e gjen dot Markun. Ky të jetë "fshehur"?/ZËRI