
TIRANË- Deputetja Erisa Xhixho reaguar në lidhje me akuzat që SPAK ka ngritur ndaj babait të saj, Pirro Xhixho, gjatë kohës që ka mbajtur postin e drejtorit të AKEP-it.
Gjatë një interviste në emisionin “Top Story”, Xhixho theksoi se lajmet për akuzat ndaj babait të saj dolën në media përpara se dokumentacioni i dosjes të mbërrinte në shtëpinë e tyre. Ajo gjithashtu konfirmoi se Pirro Xhixho ndodhet në arrest shtëpie dhe është i qetë përballë situatës.
Sipas saj, SPAK nuk ka paraqitur asnjë provë të besueshme që e lidh atë me favorizimin e një kompanie private të telefonisë celulare, duke e cilësuar procesin si të paargumentuar.
“E shokuar në fakt. Por le të sqarojmë faktin që babai im ka qenë drejtor i AKEP-it. Çdo dokument, vendim i tij ka qenë publik dhe lehtësisht i verifikueshëm. Në dosjen që pashë aty nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, për sa i përket telekomunikacioneve. Nuk ka asnjë akuzë për përfitime personale ndaj babait tim.
Dosja është një paçavure e disa prokurorëve, ajo dosje ndaj babait tim. Ne jemi shumë të qetë. Është në arrest shtëpie. I erdhi dosja shumë më vonë. Me akuza që nuk janë të bazuara në prova apo fakte. Ajo dosje është përpiluar mbi bazën e thashethemeve dhe nuk ka prova për ato që akuzon babain tim. Ne do ta ndjekim ligjërisht. Nuk ka asnjë provë, asnjë fakt që të implikojë vendimmarrjen e ish-drejtuesit të AKEP në favorizime”, tha Xhixho.