Politikë

Balla 'zbarkon' në Lëzhë e Shkodër: S'ka më 'të fortë'! Ç'po ndodh me dosjen 'Ervis Martinaj'

Në rastin e Martinajt, Balla nuk preferoi të komentonte gjatë, duke u shprehur se shumë shpejt do të ketë se për çfarë të flasë për këtë çështje.

k.m.
Balla 'zbarkon' në Lëzhë e Shkodër: S'ka
Taulant Balla

SHKODËR- Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka zhvilluar këtë të hënë një vizitë në Drejtoritë e Policisë së Lezhës dhe Shkodrës, në kuadër të turit të tij për analizën e vitit 2023. Raportohet se Balla ka qenë kritik gjatë analizës në drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Ndërsa gjatë fjalës së tij për mediat dha një mesazh për grupet kriminale. Sipas tij, nuk ka më lagje të fortësh dhe se nuk ka vend që Policia nuk mund të hyjë.

Ndërkohë nga Lezha, pas përfundimit të analizës me drejtuesit vendor Balla u pyet nga gazetarët në lidhje me ngjarjet e fundit të ndodhura në Lezhë, por dhe për ngjarje ende të pazbardhura, si ajo e zhdukejs së Ervis Martinajt. Në rastin e Martinajt, Balla nuk preferoi të komentonte gjatë, duke u shprehur se shumë shpejt do të ketë se për çfarë të flasë për këtë çështje.

PJESË NGA PRONONCIMI PËR MEDIAT NË SHKODËR: 

Pyetje: Z. Balla Shkodra ishte drejtoria e radhës e analizës vjetore të PSH. Cilat janë në mënyrë të përmbledhur rezultatet që ka patur kjo drejtori përgjatë vitit që lamë pas?

Ministri Balla: Shkodra ka një sërë problematikash që lidhen me performancën e punës së Policisë. Dua të them prej momentit të parë se një prej sfidave më të rëndësishme tona mbetet kontrolli i territorit dhe lufta kundër çdo fenomeni kriminal apo informaliteti. Besoj që edhe ju bini dakord që një prej fenomeneve që ka mbartuar puna e PSH në përballje me informalitetin dhe kriminalitetin lidhet me luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Dy në tre bimë narkotike të asgjësuara nga PSH gjatë viti 2023 është në Shkodër, pra nga 300 mijë lëndë narkotike 200 mijë prej tyre janë asgjësuar në Shkodër. Viti 2024 do të jetë konsolidimi i këtyre rezultateve për të garantuar Alpe të pastra, të cilat të jenë destinacion turistik, por të mos jenë më destinacion i grupeve kriminale për të kultivuar bimë narkotike, e përmes kësaj veprimtarie për të furnizuar apo financuar veprimtari të tyre kriminale. Për sa i përket qytetit të Shkodrës, unë e di fare mirë kush është detyra ime dhe e PSH, të garantojmë një Shkodër të qetë me siguri publike të garantuar. Të parandalojmë sa më shumë aktivitete kriminale, por dhe krime të rënda kundër personit. Kjo vjen edhe për pasojë të faktit të mos zbulimit në kohë të krimeve të rënda të ndodhura në vite. Kemi 247 persona në kërkim në Shkodër. Sot jemi fokusuar te kjo listë për të shkuar një për një tek secili prej tyre, një pjesë vazhdojnë të jenë e të fshihen këtu në Shkodër. Detyra e PSH edhe në koordinim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me SHISH është t’i gjejë dhe t’i vendosi ata para drejtësisë. Koha kur në Shkodër të fortit kishin bajraqet e tyre, feudet e tyre, ku nuk mund të hynte dot policia ka mbaruar. Kam qenë shumë i qartë në porosinë ndaj DVP për t’i dhënë fund kësaj historie, pra këtu nuk mund të ketë as lagje, as zona ku policia nuk mund të ndërhyjë apo ushtrojë dot sundimin e ligjit dhe forcën e vet. Kjo është një detyrë primare dhe dua të garantoj çdo qytetar të Shkodrës, sipërmarrësit e Shkodrës, të cilët kanë vuajtur problematika të “haraçeve”, të historive që ju i dini më mirë se unë. Kjo gjë nuk mund të tolerohet më, prandaj një prej objektivave të mia dhe Policisë së Shtetit është dhënia fund historisë së “të fortëve”, të “bajraqeve”, të “feudeve”. Ndërkohë po vazhdojmë të konsolidojmë forcën tonë parandaluese të çdo lloj forme kriminaliteti. Lojërat e paligjshme të fatit mbeten një sfidë tjetër ndaj së cilës po operojmë. Kemi pasur rezultate të cilat kanë qenë pjesë e vlerësimit në këtë analizë. Po ashtu një problematikë tjetër lidhet me rolin që ka Drejtoria e Kufirit. Dua që liqeni i Shkodrës mos përmendet më për aktivitete kriminale të personave të caktuar, të peshkimit të paligjshëm, por të jetë një destinacion i bukur turistik, ku të gjithë ata që vendosin të zgjedhin Shkodrën, dhe unë e rekomandoj fuqimisht. Kam ardhur në Shkodër edhe para pak ditësh. Jam këtu sot përsëri dhe e vërteta është që Shkodra tashmë po rilind, në njëfarë mënyre të ofertës së vet turistike. Por ne na duhet të garantojmë që këto historitë e vjetra të abuzimeve dhe karshillëkut ndaj ligjit t’i japim fund.

Pyetje: Pse ka ceduar deri tani puna e policisë? Ju folët për 200 mijë rrënjë bimë të asgjësuara, por siç duket nuk është frenuar fenomeni i parandalimit? Dhe së dyti, thatë që 247 persona janë në listë “në kërkim”. Ka dështuar Policia e Shtetit në përmbushjen e objektivit të saj, është një pjesë e strukturës e inkriminuar që ka penguar punën e drejtuesve apo krimi ka qenë më i fortë se policia deri më sot?

Ministri Balla: Ju kishit 17 pyetje brenda 3 çështjeve, por ajo që unë dua t’ju them është se çështja e personave në kërkim është një sfidë jo vetëm për policinë shqiptare por për policitë e të gjitha vendeve, edhe në BE. Unë ju thashë që ne po punojmë mbi bazën e kësaj liste. Kemi rezultate shumë të mira, edhe nga DVP Shkodër. Sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike, kjo është një çështje që nuk është shfaqur gjatë vitit 2023. Ka qenë një problematikë shumë e përhapur në vitet e kaluara. Ajo që unë po ju them, është se gjatë vitit 2023 kemi patur një rezultat të shkëlqyer, pra janë goditur edhe grupe kriminale që janë të përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike. Drejtori i Përgjithshëm ka qenë shumë i qartë në evidentimin e një pjesë te problematikës që ne nuk mjaftohemi vetëm me zbulimin e një parcele. Ajo që për ne bën sukses, është identifikimi i grupit kriminal që qëndron pas asaj parcele. Ndaj dua t’ju them që 2024 do të jetë një vit ku ne do t’i ushtrojmë një vëmendje të veçantë, pjesës që lidhet me parandalimin.

Pyetje: Ka patur një sërë ngjarjesh që janë ende pa autor. Ku jemi për zbardhjen e tyre, sa i përket Shkodrës por edhe në vend?

Ministri Balla: Në 2023 kemi patur 6 ngjarje të rënda kriminale, krime kundër personit. Janë zbuluar 5, kemi një ngjarje kriminale të pazbuluar, por për mua kjo nuk mjafton, sepse do t’i referohem të gjitha ngjarjeve kriminale nga vitit 1992 e këtej. Bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm kemi një qasje për t’i shkuar në fund çdo ngjarje kriminale. Po komunikojmë me prokuroritë, SPAK apo të Juridiksionit të Përgjithshëm, për të parë statusin e dosjeve përkatëse, sepse biem të gjithë dakord që një ngjarje e vjetër kriminale e pazbuluar është burim i një ngjarje të re kriminale.

Pyetje: Sa i përket Vettingut në Polici, ka patur pretendime se sa i përket 2 zyrtarëve të lartë që janë përjashtuar, nuk janë bërë publike dhe seancat janë bërë të mbyllura. Keni një koment?

Ministri Balla: Kam marrë një vendim që seancat të zhvillohen në Ministrinë e Brendshme, ku edhe ju gazetarët jeni të mirëpritur t’i ndiqni. Unë mendoj që lajmi më i mirë është që procesi i Vettingut tashmë po ecën dhe po jep rezultate. Ka zyrtarë që konfirmohen, ka që nuk konfirmohen. Unë nuk komentoj vendimet e këtij procesi, sepse ato janë një strukturë e pavarur. Nëse unë do të hyja e do komentoja vendimet do të bëja gabim dhe do të jepja mesazhin e keq. Procesi i vetë-pastrimit të PSH është një proces i rëndësishëm që do të garantojë një Polici të Shtetit, tek e cila të besojnë të gjithë. Faleminderit.

PJESË NGA PRONONCIMI PËR MEDIAT NË LEZHË:

Pyetje: Sapo përfunduat analizën e vitit 2023 në Drejtorinë e Lezhës problematike për sa i përket ngjarjeve kriminale kohëve të fundit. Çfarë u evidentua?

Ministri Balla: Lezha është një prej destinacioneve më të rëndësishme turistike dhe detyra jonë është që të garantojmë një sezon turistik të sigurtë dhe përpjekjet dhe përgatitjet fillojnë që tani në Janar në mënyrë që të garantojmë jo vetëm në Shëngjin, por në të gjitha pikat turistike të këtij qarku të kemi një prezencë të shtuar. Forca kombëtare e sigurisë do të jetë një mbështetje e rëndësishme për ta garantuar këtë standard të ri të sigurisë publike përgjatë sezonit turistik. Një prej problematikave dhe sfidave tona mbetet pjesa që lidhet me parandalimin e ngjarjeve rrugore edhe sot kemi pasur një ngjarje të rëndë me një humbje jete. Kam marr informacionin nga drejtori i qarkut dhe më rezulton se është një aksident i pakuptimtë po të kesh parasysh në një rrugë të drejtë dhe të humbjes së kontrollit të mjetit dhe për pasojë këtë ngjarje të rëndë rrugore. Ne do të vazhdojmë të rrisim përpjekjet tona për të garantuar më shumë siguri në rrugë. Jemi duke bërë diskutimet dhe studimet përkatëse për të rritur monitorimin e rrugëve me më shumë teknologji që lidhet jo vetëm me radarët, poliscanët, makinat inteligjente, por thirrja ime këtu nga Lezha është ndaj drejtuesve të mjeteve, ndaj ju lutem, ju lutem respektoni rregullat e qarkullimit rrugor është e papranueshme shkelja në mënyrë të qëllimshme, qofshin hyrjet në rrugët kryesore nga rrugët dytësore, qoftë mosdhënia e përparësisë në pikat e kryqëzimeve apo rrethrrotullimeve, na sjellin shumë ngjarje të rënda dhe incidente rrugore. Pa harruar këtu dy sfida të tjera që i ka DVP Lezhë, njëra lidhet me numrin e lartë të personave në kërkim ku duhet një plan pune i ri për t’i gjetur dhe vendosur para drejtësisë, sikurse dhe zbulimi i ngjarjeve të rënda kriminale me pasojë humbjen e jetës ku besoj që do të kemi rezultate të shpejta për të shkuar në zbardhjen e disa ngjarjeve të rënda kriminale që kanë ndodhur në këtë qark. Por dhe zbulimin e një numri të konsiderueshëm ngjarjesh të vjetra për të cilat kemi tashmë një plan pune në këtë drejtori.

Pyetje: Në qarkun e Lezhës janë 228 familje në konflikte gjakmarrje dhe hasmërie. A mendoni se duhet të ketë një vëmendje të shtuar ndaj këtij fenomeni?

Ministri Balla: Janë 45 ngjarje kriminale nga viti 2005 e këndej, me vrasje, për të cilat, sikurse ju informova, kemi një plan pune për to, sepse këto ngjarje të vjetra janë burim për ngjarje të reja. Të paktën historia këtë ka treguar dhe na ka mësuar. Dhe është në detyrën e DVP Lezhë, kemi bërë një bisedë edhe me drejtuesit e prokurorisë për një hetim të thellë. Dhe detyra e policisë për të parandaluar ngjarje të reja kriminale, që burojnë nga këto ngjarje të vjetra.

Pyetje: Në kuadër të operacionit “Tempulli 2”, gjatë ditëve të fundit janë ndaluar një sërë personash por janë lënë sërish të lirë. A e shihni si një problem të policisë që nuk çon prova apo të sistemit të drejtësisë?

Ministri Balla: Jo, e para, nuk është kështu! Prokuroria është në vendimmarrjen e vet për të dhënë masa të tjera sigurie përveç masës së sigurisë “arrest me burg”. E rëndësishme është që prokuroria, për të gjitha rastet, ka dhënë një masë të caktuar. Kjo lidhet edhe me kapacitetet që kemi. Por unë nuk kundërshtoj, përkundrazi, as nuk i komentoj vendimet e prokurorisë për të dhënë masa të tjera sigurie, alternative. Kjo është një gjë e mirë. E rëndësishme është që prokuroria e ka konsideruar punën e policisë, të bazuar në kod dhe e rëndësishme është që ne vazhdojmë punën për ta goditur këtë fenomen. Besoj që biem dakord me të gjithë qytetarët e Lezhës apo gjithë Shqipërisë që fenomeni i shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave duhet goditur çdo ditë. Dhe e kam thënë që prej ditës së parë, vazhdoj ta mbështes që kjo është një punë sistematike. Nuk është diçka që bëhet në mënyrë periodike, por në mënyrë të përditshme.

Pyetje: Në Kurbin, shumë ngjarje kanë qenë të lidhura edhe me të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, por deri tani kemi pasur vetëm sekuestro pasurie. A keni ju një përgjigje për fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj?

Ministri Balla: Unë e kam thënë që kjo mbetet një gur peshe i rëndësishëm sa i përket llogaridhënies sonë ndaj publikut dhe ligjit. Besoj që nuk do të jetë e largët dita kur do të kemi edhe një komunikim së bashku për këtë çështje.
Faleminderit/ZËRI

Poll

MOS HUMB