
TIRANË- Gjykata Kushtetuese do të mblidhet këtë të hënë sërish për marrëveshjen e emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë, për shkak se javën e kaluar deputetët e opozitës kishin dorëzuar disa dokumente shtesë, për të cilat do të duhej një kohë e dytë për t’i shqyrtuar.
Në seancën e pesë ditëve më parë, Gjykata “konstatoi se në datën 23.01.2024, ora 15:55, kërkuesi ka paraqitur parashtrime shtesë me shkrim, në përmbajtje të të cilave kërkohej edhe marrje e disa provave. Parashtrimet shtese iu komunikuan për dijeni subjekteve të interesuara në datën 24.01.2024, ora 9:30. Në këto rrethana, Gjykata vendosi të shtyjë seancën gjyqësore të radhës në datën 29.01.2024, ora 10.00”.
Marrëveshja e firmosur në Romë në 6 nëntor të vitit të kaluar, mes kryeministrave Edi Rama dhe Giorgia Meloni, parashikon që të sillen në Shqipëri, emigrantë që nisen nga Afrika e Veriut dhe kapen në det nga anijet italiane.
Ajo parashikon ngritjen e një kampi në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të emigrantëve dhe një qendre në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit.
Përgjegjësia mbi çdo veprimtari do të jetë e Italisë, së cilës i njihet dhe juridiksioni i plotë mbi qendrën e pritjes. Kampi do të strehojë maksimumi 3 mijë emigrant, të cilëve në rast se nuk iu pranohet kërkesa për azil, do t’iu bëhet riatdhesimi. Marrëveshja është pritur me kritika në Shqipëri dhe jo vetëm, pasi qeveria Rama akuzohet se ka cënuar një nga pikat kryesore të Kushtetutës që është dhënia e ekstra-territorialitetit. Marrëveshja nuk është kaluar ende në Kuvend, pasi mazhoranca ka pritur që më parë për të të mund të shprehet Kushtetuesja./ZËRI