Politikë

Bardhi-Bashës: Ke dy kate tek kulla ‘Lion’, Ilir Shtufit i kërkove falje në garazh

Përplasja e nisur në sallën e Kuvendit ka vazhduar jashtë, ku Gazment Bardhi iu ka kërkuar edhe gazetarëve që të shkojnë dhe të verifikojnë se si familja e Bashës është pronare e dy kateve në rezidencën ‘Lion’ në hyrje të liqenit

E.K
Bardhi-Bashës: Ke dy kate tek kulla ‘Lion’, Ilir Shtufit i
Bardhi, Basha dhe rezidenca ku pretendohet se ka blere dy kate kreu i PD

TIRANË- Pas përplasjeve në seancën e Kuvendit, Gazment Bardhi dhe Lulzim Basha e kanë zhvendosur debatin në distancë mes tyre, në deklaratat që kanë bërë përpara gazetarëve, ku çështja kryesore ishte akuza e ngritur nga Bardhi se Basha dhe familjarët e tij janë pronarë të dy kateve në një kullë luksoze në Tiranë. Bardhi iu qëndroi akuzave, duke dhënë më tej dhe emrin e rezidencës ku Basha sipas tij ka blerë dy kate, e madje është marrë edhe vetë me mobilimin e tyre, bëhet fjalë për ‘Lion Rezidencë’ e cila është e ndërtuar në hyrje të liqenit Artificial. Përveç kësaj, Bardhi tha se Basha ka shkuar në garazhin e Ilir Shtufit, pronarit të kullës 64-katëshe që pritet të ndërtohet te 9-katëshet në Tiranë, dhe i ka kërkuar atij falje.

“Ju e dini se kush është kulla më e shtrenjtë në Tiranë, është ajo në hyrje të liqenit. Ka kaq kohë që po merret vetë zoti me mobilimin e këtyre ambienteve, që do të përdoren si njësi banimi, por edhe si njësi biznesi. Nuk kam qenë unë, por ka qenë zoti Basha ai që ka shkuar në garazhin e pronarit të kullës 64-katëshe për ti kërkuar ndjesë, nuk kam shkuar unë. Nëse unë kam shpifur të më çojë në Gjykatë, por të mos e bëjë si me Veliajn që harroi të shkonte në seancë. Familjarët e zotit Basha janë pronarë të dy kateve në “Lion Rezidencë”, shkoni dhe merrni kamerën ta verifikoni”, u shpreh Bardhi para gazetarëve.

Më herët, Basha para tij, kishte deklaruar para gazetarëve se familjarët e tij kanë të ligjshme dhe kanë të deklaruar çdo qindarkë të bizneseve të tyre. Ai akuzoi Bardhin se tashmë është duke bërë avokatin e babait të Zenit, duke nënkuptuar Berishën.  

“Përgjigja ime ishte aty. Është shpifje e pastër e shkollës berishiste. Vjen nga një njeri që sulmonte babain e Zenit dhe sot është bërë avokat dhe i kullave 64 katëshe. Familjarët e mi e kanë çdo gjë transparente, cent më cent taksat ndryshe nga aleancat e kullave dhe avokati i tyre më i ri, Gaz Bardhi", tha Basha. 

Në nisje të seancës së sotme, e cila kishte të parashikuara mbi 10 çështje në rendin e ditës, u kanalizua në përplasjen e brendshme ndërmjet vetë radhëve të opozitës. Basha dhe Bardhi nuk i ndalën akuzat mes tyre, ndërkohë që kryedemokrati kërkoi të nisnin hetimet në lidhje me pasurinë e tij dhe të familjarëve, duke këmbëngulur dhe në një prej pikave kryesore të platformës së tij, atë të Vetingut në radhët e politikanëve./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB