
TIRANË- Zgjedhja e Avokatit të Popullit shpeshherë has në përplasje dhe në mungesë konsensusi mes maxhorancës dhe opozitës. Edhe pse opozita tradicionalisht është subjekti që propozon emrat e kandidatëve, kjo nuk është mirëpritur nga partia në pushtet, me pretendimin se figurat e zgjedhura kanë sfond publik dhe janë figura të angazhuara politikisht. Emri që mbështeste Bardhi dhe një pjesë e mirë e deputetëve të këtij grupi brenda Partisë Demokratike për Avokat të Popullit ishte Ledio Braho, ndërsa Alibeaj dhe një grup më i vogël deputetësh mbështesnin emrin e Dorian Gjonmarkajt.
Por, gjatë votimit në Kuvend, opozita (e cila tradicionalisht e ka zgjedhur Avokatin e Popullit) nuk e mori mbështetjen e maxhorancës. Asokohe, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se: Avokati i Popullit nuk mund të jetë avokati i Partisë Demokratike. Nuk mund të jetë një figurë e spikatur e Partisë Demokratike, brenda viteve të fundit. Dhe në këtë kontekst një baraslargim politik i Avokatit të Popullit do të ishte ajo që Kushtetuta ka parashikuar për këtë pozicion. Krahu i majtë i kësaj salle nuk i ka 84 vota për të zgjedhur Avokatin e Popullit, madje ne e kemi thënë qartë që ne duam që Avokatin e Popullit ta propozojë opozita. Dhe asnjë deputet i grupit parlamentar të PS-së, nuk do të përfshihet në mbështetjen me firma të një kandidati, sikurse e përcakton ligji dhe rregullorja.
Si rrjedhojë, procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit, shtyhet prej muajsh pasi maxhoranca dhe opozita nuk bien në dakordësi. Muaj më vonë, ndonëse Kuvendi ende nuk e ka thënë fjalën e fundit nëse do ta njohë Gazmend Bardhin si kryetar grupi, ky i fundit në një letër publike i ka kërkuar kryetarës së Parlamentit Lindita Nikolla, nisjen e procedurave për zgjedhjen e Avokatit të Ri të Popullit, pasi shprehet se është gati për dialog.
"Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike shpreh gatishmërinë për t’u përfshirë në një proces parlamentar dialogu midis grupeve parlamentare të PS dhe PD, me lehtësimin e Kryetares së Kuvendit, duke propozuar dhe përcaktuar bashkërisht një procedurë transparente që mundëson gjetjen e konsensusit. Ne propozojmë ndërtimin e një procesi transparent dhe demokratik për përzgjedhjen e një kandidature dinjitoze për funksionin kushtetues të Avokatit të Popullit”- thotë Bardhi.
Megjithatë ka një problem, pasi Lulzim Basha e shkarkoi Gazment Bardhin nga kreu i grupit të Partisë Demokratike, duke ngritur pikëpyetje lidhur me atë që do të bashkëpunojë maxhoranca. Disa ditë më parë, kreu i grupit socialist Bledi Çuçi tha se këtë sesion parlamentar, një tjetër çështje e pazgjidhur dhe që do të trajtohen me prioritet janë Avokatit Popullit si dhe vakancat në KLP dhe KLGJ.
"Urgjent duhet të zgjedhim Avokatin e Popullit. Besimplotë se me opozitën do arrijmë të gjejmë një figurë që do të vijë me propozim nga opozita por të jetë figurë dinjitoze për atë pozicion,”-tha ai. I pyetur se në derën e cilit do të 'trokasë', të Gazment Bardhit, apo Lulzim Bashës, Çuçi tha se do të bashkëpunojë me atë që ka përfaqësinë ligjore.
“Ne do trokasim në zyrën në radhë të parë që ka përfaqësinë ligjore për t’u trokitur dhe në radhë të dytë që është i prirur të bëjë më të mirën për Shqipërinë. Se ku e cakton zyrën opozita nuk është çështja."
Sipas Kushtetutës, posti i Avokatit të Popullit kërkon një shumicë të cilësuar votash në Kuvend, 84 të tilla. Vakanca për Avokatin e ri të Popullit u shpall fillimisht nga Komisioni për Çështjet Ligjore më 30 mars 2022 pas përfundimit të mandatit të Erinda Ballancës. Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike. Kreu i këtij institucioni zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë 5 vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje./Zëri