
TIRANË- Kreu i PD-së së vulës, Lulzim Basha ka reaguar ndaj komenteve ironike që kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta bëri në drejtim të tij gjatë një konference për mediat. Meta, u pyet nga gazetarja e ZËRI-t, Florida Mingla, për një koment lidhur me akuzat e kryedemokratit Basha, se të gjitha lëvizjet e fundit të opozitës ishin pjesë e një pazari me kryeministrin Edi Rama. "Fajtorë", edhe njëherë Basha bëri atë që e ka cilësuar si trekëndëshin e Bermudës, që tashmë i referohet si "treshja e vjetër e politikës". Madje shtoi se "lojën" që po luhej për Reformën Zgjedhore e kishte kuptuar, por kishte zgjedhur që të mos bëhej pjesë.
Këtij komenti, Meta iu përgjigj me ironi.
"Ai kurrë nuk e solli sepse ishte në pazar me shefin aktual. Sepse pazari ishte që ti bojkoto që të rrijë kjo ndarje që dua unë, dhe kudo ku janë kandidatët e LSI, unë do mbështes kandidatët e tu. E di gjithë Shqipëria se kush është njeriu i pazareve se kush mbahet peng për të dëmtuar opozitarizmin. Nuk bëhesh i ri duke lyer flokët, apo duke thënë unë jam fitimtar se bëj lapsuse siç bën presidenti i Amerikës. Siç ishte pazari edhe i djegies së mandateve, siç ishte pazari edhe për zgjedhjet lokale që i ra në gjunjë presidentit për të shtyrë zgjedhjet lokale dhe që e shtyu. E vendosi vetë datën e zgjedhjeve lokale dhe nuk e regjistroi PD në KQZ sic u regjistruan partitë e tjera të opozitës. Pse? Jo se nuk i interesonte PD, por nuk i interesonte Edi Ramës, i cili duhet tu thoshte të huajave si do hyj në zgjedhjet lokale kur prapë PD nuk është regjistruar. Të gjithë e dinë kush është pazarxhiu, e ka në ballë. Sa i takon pastaj të vjetër të rinj, e thashë që sado të lyhen flokët nuk ka rini aty ku shkëlqen mashtrimi,”- tha Meta.
Menjëherë pas përfundimit të konferencës për mediat, një kundërpërgjigje i ka ardhur edhe nga vetë Basha. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Basha theksoi edhe njëherë se Rama, Berisha dhe Meta, të tre janë bërë bashkë në një aleancë të re kundër Strukturës së Posaçme kundër Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e po ashtu kundër edhe Reformës Zgjedhore. Ndërsa sa i përket debatit të "vjetërsisë" në politikë, Basha shtoi se nuk preket me deklaratat e bëra nga Meta.
"Personalisht nuk impresionohem nga deklaratat e atyre që kanë marrë malet për t’iu fshehur drejtësisë, por një gjë është e sigurt: nuk u ka mbaruar vetëm koha, por edhe rruga. Dhe kur të mbaron rruga, nuk ka mal që të bën derman,"-shkroi Basha ndër të tjera.
POSTIMI I PLOTË I BASHËS:
Politikanët e vjetër të tranzicionit të stërzgjatur shqiptar nuk e kanë thjesht betejën me Partinë Demokratike, por, mbi të gjitha, ata e kanë me popullin shqiptar. Jo vetëm që janë në pazar me njëri-tjetrin, por dihet se kur mblidhen bashkë Rama, Berisha dhe Meta diçka po luajnë në kurriz të shqiptarëve. Këtë radhë janë bërë bashkë në një aleancë të re kundër SPAK-ut dhe kundër Reformës Zgjedhore, sepse vetëm kështu mund të vijojnë me pazaret e vjetra të bëra në kohë të reja. Personalisht nuk impresionohem nga deklaratat e atyre që kanë marrë malet për t’iu fshehur drejtësisë, por një gjë është e sigurt: nuk u ka mbaruar vetëm koha, por edhe rruga. Dhe kur të mbaron rruga, nuk ka mal që të bën derman./ZËRI