
TIRANË- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta zgjodhi të përgjigjej në distancë për dakordësinë që grupi i Berishës bashkë me Gazment Bardhin arritën me Partinë Socialiste për ngritjen e dy komisioneve Hetimore në Shëndetësi, për Check Up dhe Sterilizimin. I pyetur nga gazetarja e ZËRI-t, Florida Mingla, se a ndihet Ilir Meta i "tradhtuar" nga kjo dakordësi, ai e mohoi ndërsa tha se ndihet i kënaqur që ka mirëkuptim, por shtoi se ka edhe vonesë në kuptimin e realiteteve. "Ne jemi shumë të kënaqur që ka një mirëkuptim, por vonesa në kuptimin e realiteteve nuk e ndihmon opozitën dhe asnjë opozitar për të qenë në lartësinë e momentin dhe për t'i dhënë përgjigjen e duhur dhe të unifikuar të një mafie në pushtet e cila gjithçka e ka bazuar te blerja e opozitës"-tha Meta.
Gazetarja e ZËRI, Florida Mingla: Pas 5 muajsh tensionesh me tymë dhe flak, opozita i është rikthyer normalitetit në sallën e Parlamentit ku edhe tashmë është miratuar ngritja e dy komisioneve hetimore. Është konsultuar z. Berisha apo z. Bardhi me ju për këtë dakordësi? Dhe cili ka qenë qëndrimi juaj?
Ilir Meta: Qëndrimi i Partisë së Lirisë, është se me të drejtat që Kushtetuta i jep opozitës, nuk ka asgjë përse të negocioohet. Së dyti ju e dini që në Parlament, marrëdhëniet dhe kontaktet me opozitën i mban kryesisht zoti Vasili si deputeti më me përvojë i Partisë së Lirisë, mund të pyesni atë për ndonjë detaj me shumë. Por situata në Parlament për ne vazhdon të jetë tepër e rëndë. Është një situatë e shkaktuar nga Edi Rama, është një situatë e cila e sfidon opozitën të jetë shumë herë më aktive seç është deri tani dhe për të këmbëngulur për të realizuar të gjitha të drejtat që Kushtetuta i jep asaj me vendosmëri dhe hap pas hapi.
I pyetur gjithashtu nëse është ndjerë i tradhtuar se në komision dhe reforma do të ketë vetëm dy opozitarë nga PD, Meta u shpreh se sfida e vetme e Partisë së Lirisë është të mos tradhtojë veten, parimet dhe vlerat e saj.
Gazetarja e ZËRI, Florida Mingla: Duke i qëndruar të njejtës temë, ju vetë zoti Meta jeni ndjerë të tradhtuar duke qenë se në komisionin për reformat do të ketë vetëm dy opozitarë dhe do të jenë nga PD?
Ilir Meta: Partia e Lirisë ka vetëm një sfidë, të mos tradhtojë veten, në parimet e saj, në vlerat e saj, në qëndrimet e saj dhe ajo i ka qëndruar dhe do t'i qëndrojë këtyre parimeve për të paktën për aq kohë sa ka qëndruar LSI-ja e drejtuar nga Ilir Meta dhe do të drejtohet nga Ilir Meta.
Të jeni shumë të qetë në këtë drejtim. Sot, ata që votuan në 2008-ën, kërkuan rishikimin e 2008-ës, shumë mirë por është me shumë me vonesë, për vendin, për dekomkracinë për situatën në të cilën ndodhemi.
Sot, ata që kur Ilir Meta ishte President dhe ngriti shqetësimin e kapjes së shtetit edhe kapjes së drejtësisë e Gjykatës Kushtetuese, me betime të lëna, sot me të drejtë kontestojmë 90% të vendimeve të GJK të cilat janë vetëm një noterizim i akteve të Qeverisë që noterizon Parlamenti i kapur nga Edi Rama.
Ne jemi shumë të kënaqur që ka një mirëkuptim, por vonesa në kuptimin e realiteteve nuk e ndihmon opozitën dhe asnjë opozitar për të qenë në lartësinë e momentin dhe për t'i dhënë përgjigjen e duhur dhe të unifikuar të një mafie në pushtet e cila gjithçka e ka bazuar te blerja e opozitës, tek blerja e ndërkombëtarëve siç është rasti flagrant i McGonigal që është dënuar për aferën e korrupsionit me Edi Ramën dhe me ministrat e tij, dhe opozita duhet të tregojë gjithnjë e më shumë se është një opozitë me integritet e cila ka si yll polar të vërtetën dhe asgjë tjetër, interesin publik dhe të qytetarit dhe asgjë tjetër dje për këto duhet të bëjë çdo sakrificë./ZËRI