
TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë ka bërë sqarimin se përse kryedemokrati Sali Berisha ka mbetur jashtë grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në një përgjigje të dhënë për "Top Channel", Kuvendi ka bërë me dije se Berisha ishte përjashtuar nga grupi para nisjes së kësaj legjislature, ndaj edhe veprimi i kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi nuk "mjaftonte" që ta kthente kryedemokratin në grup.
“Në datën 9 prill 2024 Kuvendi është njoftuar nga z. Gazment Bardhi mbi “Revokimin e të gjitha vendimeve për masa disiplinore të marra nga grupi gjatë kësaj legjislature.” Deputeti Sali Berisha, prej fillimit të legjislaturës, nuk ka qenë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike,”-sqaroi Kuvendi i Shqipërisë.
Të enjten, Lindita Nikolla njoftoi se grupi parlamentar demokrat kishte vendosur të anulojë të gjithë masat disiplinore për përjashtimet e deputetëve gjatë kësaj legjislature, por në mesin e tyre ishte edhe Sali Berisha. Ky i fundit u përjashtua nga Partia Demokratike më 11 janar. Atë kohë PD drejtohej nga Lulzim Basha ndërsa Gazment Bardhi ishte Seklretar i Përgjithshëm. Përjashtimi i Berishës dhe deputetëve që e mbështesnin atë erdhi pas protestës së dhunshme të 8 janarit ku demokratët u përplasën në selinë e partisë./ZËRI