Politikë

Berisha kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, caktohet data për seancën

Seanca është lënë për 4 mars, në orën 11.00.

k.m.
Berisha kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, caktohet data
Sali Berisha

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të shqyrtojë më 4 mars kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit kërkon nga togat e zeza ndryshimin e masës së sigurisë "arrest shtëpie", ndaj seanca është lënë për 4 mars, në orën 11.00. Kjo pasi seanca e djeshme u shty për shkak se gjyqtarja ishte në një proces tjetër. Por ky arsyetim është hedhur poshtë nga ana e avokatit të ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj, duke e cilësuar si të qëllimshme lëvizjen e gjyqtares Irena Gjoka.

Berisha ndodhet nën masën e arrestit të shtëpisë që prej muajit Dhjetor, ndërkohë që edhe Apeli ka rrëzuar kërkesën e tij për një masë më të butë sigurie. Tashmë avokatët e Berishës kanë paralajmëruar që do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë. Nga ana tjetër, vetë Berisha u thirr javën e kaluar nga dy prokurorët për të dhënë llogari para SPAK, ku hodhi akuza të vazhdueshme ndaj tyre, duke i cilësuar si grup kriminal.

Sali Berisha akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "Arrest shtëpie" me kërkesë të SPAK. Më herët për dosjen “Partizani” është arrestuar dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili më pas u lirua nga burgu nga Gjykata e Apelit të Posaçëm dhe u la në “Arrest shtëpie”./ZËRI

Poll

MOS HUMB