
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar drejtuesin e SPAK, Altin Dumani duke e quajtur atë një vegël të kryeministrit Edi Rama. Gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, Berisha tha se, çfarë do medalje që mund të marrë Dumani nëpër botë, në Shqipëri ai ka medaljen e krimit. Ish-kryeministri kërkon nga kreu i SPAK të tregojë se si i ka blerë tre apartamentet deri në vilin 2016.
Berisha: Dhe unë i them këtij zotërie, që shtron këtë pyetje: Altin Dumani është bërë mburojë kryesore e veprave më të mëdha kriminale, vjedhjeve më të mëdha të shekullit të kësaj bande kriminale. Është bërë një vegël e shpifur në duart e Edi Ramës. Një lake që qëndron aty në kundërshtim me Kushtetutën dhe që mendon se mbështetja e të huajve do e mbajë atë në detyrë, mos harro se je prokuror i shqiptarëve, por për shqiptarët je një kriminel. Çfarëdo dekorate që mund të të japin, nga cili vendi i botës, ti ke në Shqipëri medaljen e turpit, të krimit. Armik i opozitës, armik i votës së lirë, armik i shqiptarëve.
Ndaj dhe dil e tregoju shqiptarëve me se i ke blerë tre apartamentet gjer në vitin 2016? Të tjera do i marrësh vesh më vonë një nga një. Ndaj dhe ata që ngrenë kulte mbi hiçin, ata që ngrenë mite mbi plehun. Ne i qëndrojmë të vërtetave, do luftojmë për të vërtetat. Të vërtetat janë motoja jonë. Do marrim fatin tonë në duart tona. Shqipërinë e bëjnë shqiptarët. Demokracinë shqiptare po e mbrojnë shqiptarët. Shqipërinë e shpëtojnë shqiptarët.
Berisha ndodhet nën masën e arrestit të shtëpisë që nga data 30 Dhjetor e vitit të kaluar. Ish-kryeministri dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv, duke favorizuar dhëndrin në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, përmes nxjerrjes së akteve nënligjore gjatë kohës që qeveriste. Berishës fillimisht iu caktua masa e detyrimit për t’u paraqitur, por ai refuzoi t'i bindej urdhrit dhe Prokurorisë së Posaçme i lindi e drejta ta ndryshojë masën në arrest shtëpie./ZËRI