Politikë

Bledi Çuçi mbledh Grupin Parlamentar të PS: Prag fushate, dilni në terren

Kreu i Grupit Parlamentar të PS iu tha deputetëve të maxhorancës se duhet të punojnë në terren, në zonat e tyre elektorale.

D.XH
Bledi Çuçi mbledh Grupin Parlamentar të PS: Prag fushate,
Bledi Cuci

TIRANË- Bledi Çuçi ka mbledhur sot Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, për të diskutuar për agjendën e javës në Kuvend. Në fjalën e tij, drejtuar për deputetët e maxhorancës, Çuçi deklaroi se jemi në prag fushate, ndaj duhet prezencë e shtuar në terren.

"Duhet një prezencë e shtuar fizike në terren, sipas zonave tuaja. Konsiderojeni këtë si një periudhë fushate, duke nisur që nga dje. Është shumë e rëndësishme që procesin zgjedhor brenda partisë ta ndjekim personalisht. Ka nevojë për ritëm të shtuar, për të kapur afatet", tha Çuçi.

Për seancën parlamentare të së enjtes, Çuçi përmendi projekt-ligjet, që janë në rendin e ditës. Fjala është për Projektligjin “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore” dhe Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore".

Për sa i përket Amnistisë Penale, do shqyrtohen në Komisione këtë javë amendamentet që janë propozuar, në mënyrë që projekt-ligji të shkojë për votim në seancën plenarë të javës së ardhshme.

Deklaratat e Bledi Çuçit vijnë një ditë pas kritikave të kryeministrit Edi Rama në Asambelë e Partisë Socialiste. Rama kërkoi emrat e funksionarëve të PS-së, të cilët kanë një performancë të ulët në terren. Edhe kreu i qeverisë kërkoi që strukturat e partisë të jenë më aktive në terren, përpara afrimit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025. Rama adresoi kritika më të forta për qarqet Tiranë, Lezhë dhe Fier./ZËRI/

Poll

MOS HUMB