
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë sot një denoncim publik, duke lëshuar akuza për blerje të votave në Kukës. Në konferencën e tij të përjavshme me gazetarët, Berisha tha se një zyrtar i lartë është përgjuar bashkë me drejtorin e OSHEE për Kukësin, ku flisnin për një tender dhe do të përfitonin para në këmbim.
"Në Kukës, siç kam referuar këtu për të gjitha, zgjedhjet u blenë në mënyrën më të pamëshirshme. Belinda Balluku, Taulant Balla, janë marrë me shpërndarje parash 1 javë rresht me thasë në qarkun e Kukësit. Në Kukës nuk përcaktoi rezultatin vota e qytetarëve, por rezultatin e përcaktoi qartësisht industria e blerjes së votës. Ne kemi një konkluzion, se me Edi Ramën, zgjedhje nuk ka. Kukësi ishte një argument shtesë në morinë e pafundme të fakteve që kemi paraqitur dhe disponojmë. Edhe të tjera. Por në një vend ku drejtësia është në kontroll total, nuk ka asnjë shpresë dhe zgjidhje tjetër përveç revoltave, protestave dhe përmbysjes së kësaj qeverie. Që në muajin prill, në një lokal në Kukës, janë ulur fatkeqësisht një zyrtar shumë i lartë i PS me drejtorin e OSHEE të qarkut. Tavolina ka pasur përgjues dhe në këtë përgjim është e regjistruar se është bërë pazari që drejtori i OSHEE do të bëjë një tender me kaq miliona lekë, nga të cilat 300 mijë euro do i dërgojë në Tropojë. 200 mijë në Kukës. Shtyllat do vendoseshin në Has. Dhe resti i kësaj në Durrës. Shërbimi informativ, që ka qenë institucioni që ka vendosur përgjuesin, përgjimin ia ka sjellë Edi Ramës. Nuk kam, se nuk do e akuzoja sot SPAK-un, nuk kam të dhëna se Rama e ka çuar në SPAK përgjimin, por sipas disa indiceve e mbajnë aty për të mbajtur peng zyrtarin. Nuk është vetëm kjo, nga institucioni i akuzës së Gjirokastrës, është dërguar në SPAK dosja me përgjimin, në të cilin kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, në një mbledhje urdhëron vartësit dhe u thotë: do u japësh kaq lekë, ti do i premtosh këtë vend pune. Pra, bën haptas ofertat për votat që do blinin. SPAK e mbyll dosjen dhe nuk ndërmerr asnjë veprim. SPAK nuk mund të ndërmarrë veprime kur ka dosjen e kriminelëve elektoralë Edi Rama, Damian Gjiknuri, Ulsi Manja. Pra, çfarë mbetet? Mbetet të flasin qytetarët. Përgjegjësia është një: që duhet ngritur sa më shpejt në protesta,"-shtoi Berisha.
Më pas u ndal tek situata lidhur me krimin në vend. Teksa listoi se në më pak se 30 orë kanë ndodhur 3 vrasje dhe 5 plagosje, Berisha e drejtoi gishtin nga ministri i ri i Brendshëm. Sipas tij, Taulant Balla ka marrëdhënie miqësore dhe ka udhëtuar jashtë me biznesmenin Pëllumb Gjoka. Ky i fundit është vendosur në pranga në kuadër të operacionit "Metamorfoza", pasi akuzohet si porositës i disa vrasjeve në Veri të vendit, në bashkëpunim me grupin e Bajrave në Shkodër.
"Rendi është në duart e Taulant Ballës, që del tani mik jo vetëm me Begon, por edhe me Kolombon. Unë absolutisht duhet të insistoj për hetim të udhëtimeve të tij në Itali me Pëllumb Gjokën, ndonëse ato i ka bërë pa diskutim me porosi të Edi Ramës."
Po ashtu, Berisha deklaroi sot se Alqi Bllakos i është hequr akuza e korrupsionit dhe tani qëndron pas hekurave vetëm për veprën penale të "shpërdorim detyre". Sali Berisha tha se ishte në fakt Bllako, në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së Mjedisit, personi që bëri të gjithë procedurën. Por sërish nuk ishte 100% i bindur në burimin e tij dhe premtoi verifikimin e informaconit.
"Nuk jam i sigurt. Nëse jam gabim, do e tërheq. Por informacionet e para më thonë se nuk është dënuar për korrupsion. Nuk i është prekur asnjë qindarkë nga pasuria e tij. Alqi Bllako ishte njeriu më i ngushtë i Erion Velisë. Lefterin nuk e kishte për gjë ai. Lefteri ishte Ladru Utile. Dhe mirë ia bënë, nuk kam asnjë keqardhje. Por në ministrinë e Lefterit, Alqi është personi përgjegjës direkt për të gjitha aferat, për të tre djegësat,"-tha Berisha në fjalën e tij, ndërsa shton se personi që ka ndërhyrë për të është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Në fund, kryedemokrati u ndal gjatë tek çështja e Kosovës, duke përsëritur akuzat se kryeministri Edi Rama bashkëpunon me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Ndërsa shtoi se pret reagimin e drejtësisë shqiptare lidhur me dëshminë e ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal, ku përmendet edhe vetë Rama./Zëri.ai