Politikë

PS kundër hetimit parlamentar për PPP-të në shëndetësi, Bardhi: Antikushtetuese!

Në mbledhjen e sotme u rrëzuan kërkesat e opozitës për ngritjen e disa Komisioneve Hetimore.

k.m.
PS kundër hetimit parlamentar për PPP-të në
Gazment Bardhi

TIRANË- Rrëzohen kërkesat e opozitës në Konferencën e Kryetarëve. Në mbledhjen e sotme në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, u rrëzuan kërkesat e opozitës për ngritjen e disa Komisioneve Hetimore. Bëhet fjalë për rastin e ndërhyrjeve në sistemin TIMS dhe për koncesionet në shëndetësi, më konkretisht çështja e sterilizimit dhe check-up-i.

Në konferencën e Kryetarëve nuk kanë munguar debatet mes përfaqësuesëve të maxhorancës dhe të opzotës, ndërsa Bardhi në fjalën e tij shtoi se: Nëse na mohoni të drejtën e Komisioneve, është shkelje e Kushtetutës. Ndërsa Partia Socialiste mendon se nuk ka kushte për të ngritur asnjë prej këtyre komisioneve, pasi e konsideron këtë objekt hetimi të gjerë. Kështu që në mungesë të konsensusit për kërkesat e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, vendimarrja do të merret në seancën e ardhshme plenare.

Pas mbledhjes, Bardhi ka dalë në një konferencë për mediat, ku tha se për të dhënat e sistemit TIMS, shqetësimi nuk ka ardhur vetëm nga opozita, por dhe nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Ameriës. Edhe njëherë ai përmendi Kushtetutën duke u shprehur se 45 deputetë i janë drejtuar Kuvendit për të ngritur një Komision Hetimor, nga 35 që është numri minimal.

“Kërkuam një komision të parë, është një shqetësim që kanë edhe Shtetet e Bashkuara, që lidhet me ndërhyrjet e paligjshme në sistemin TIMS dhe Komisioni i dytë lidhej me një shqetësim publik të qytetarëve për mungesën e përfitimit të shërbimeve shëndetësore, në zbatim të katër kontratave koncesionare. Të dyja çështjet, në vlerësimin e opozitës, paraqesin një rëndësi shumë të madhe në mbrojtjen e interest publik, që detyronte Kuvendin të ushtronte një nga tre funksionet e tij, që ka të bëjë me llogaridhënien dhe kontrollin e qeverisë. Për këtë arsye dhe zyrtarisht, në përputhjee me të drejtën tonë kushtetuese, 45 deputetë i jemi drejtuar Kuvendit për të ngritur një Komision Hetimor. Sipas Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, Kuvendi është i detyruar që të ngrejë një Komision Hetimor, kur atë e kërkojnë jo më pak se 35 deputetë të Kuvendit. Sot në përputhje me ligjin, kryetarja e Kuvendit kishte thirrur mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku bëhej diskutimi fillestar mes maxhorancës dhe opozitës, tëë miratimit nga Kuvendi të kërkesës për ngritjen e Komisionit Hetimor. Pa asnjë surprizë, ashtu siç kanë vepruar gjatë këtij një viti e gjysmë, pas eksperiencës që patën me Komisionin për kontratat me inceneratorët, maxhoranca vendosi të mos japë konsensusin për të ngritur dy Komisione Hetimore. Në fakt është një akt tërësisht antikushtetues, sepse e drejta e hetimit parlamentar, kur e kërkon opozita është një detyrim për Kuvendin e Shqipërisë. Të dyja argumentet, që janë justifikime për të fshehur një vullnet politik të maxhorancës, për të penguar opozitën për të kryer hetim parlamentar, jo vetëm nuk qëndrojnë, nuk kanë asnjë bazë kushtetuese, por janë fyerje për çdo mendje normale njerëzore. Argumenti i parë i parashtruar nga kolegët e maxhorancës lidhej me faktin se ne kërkonim të hetojmë katër kontrata koncesionare dhe sigurisht ata janë shumë të zënë me punë dhe e konsideruan këtë një çështje shumë të gjerë. Nuk mund të hetohen dot katër kontrata sipas kolegëve të maxhorancës, se kjo është të hetosh gjithë sektorin e shëndetësisë. Në fakt, katër kontratat lidhen me një çështje tëë vetme, që ka të bëjë më ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, sipas një marrëdhënieje të partneritetit publik-privat. Sa kohë janë miratuar katër kontratat nga qeveria me vlerë totale 450 milionë euro, ne propozuam, kërkuam, në përputhje me të drejtën që na njeh Kushtetuta e Shqipërisë, që të verifikohet së pari si janë lidhur këto kontrata dhe e dyta sesi po zbatohen ato. Të dhënat e verifikimit nga KLSH, kanë treguar që jo vetëm kemi të bëjmë me kontrata abuzive dhe me vlera me fatura të fryra në pagesa, por janë pagesa për shërbime që qytetarët nuk i përfitojnë. Për të dhënat për sistemin TIMS, shqetësimi nuk ka ardhur vetëm nga opozita, ka ardhur siç e thashë dhe nga ambasada amerikane, sepse bëhet fjalë për një nga sistemet me të dhënat më sensitive personale në Republikën e Shqipërisë. Ne e kuptojmë që Edi Rama dhe maxhoranca nuk ka asnjë interes të verifikohet ndërhyrja e paligjshme apo vjedhja e të dhënave të sistemit TIMS, sepse do zbulohej fshehja ose fshirja e të dhënave mbi udhëtime të qeveritarëve apo familjarëve të Ramës dhe ministrave me eksponentë të krimit. Kjo ka qenë arsyeja e ndërhyrjes në TIMS. Kam bërë të qartë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, që vendimmarrja e sotme e shumicës është vendimmarrje e papranueshme për opozitën,”-tha Bardhi.

Sipas Bardhit, argumenti i PS-së kishte të bënte me formulimin e objektit, duke e konsideruar një hetim shumë të gjërë dhe të pamundur për 4 kontratat koncensionare, të cilat, përllogariten në vlerën totale rreth 450 milionë USD. Më herët janë rrëzuar edhe kërkesat për hetimin e zbatimit të ligjit për investimet strategjike, zbardhjen e fluturimeve të kryeministrit Rama me avionin ‘charter', por edhe dosjen për ndikimin e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal dhe lidhjen e tij me kryeministrin. PS pretendon se nuk do të pranojë asnjë nismë që mban firmën e kryedemokratit Sali Berisha, pasi sipas tyre ai është shpallur "non grata"./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB