TIRANË- Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka nisur detyrën me "dorë të hekurt". Në ditët e para të emërimit në pozicionin e ri dhe vetëm pak ditë pas betimit në presidenca, Koçiu ka propozuar shkarkimin nga detyra të zv.ministrit Andi Mahila.
Andi Mahila, zëvendësministër i Brendshëm që prej nga dhjetori 2020, është fotografuar duke konsumuar cigare në një ambient të mbyllur në kundërshtim me ligjin. Rasti i tij është denoncuar nga një qytetar te ministrja e Brendshme Albana Koçiu. Kjo e fundit, pas shqyrtimit të rastit, ka propozuar shkarkimin e Andi Mahilajt dhe më pas është liruar nga detyra.
E mesa duket, cigarja që po konsumonte brenda një ambienti të mbyllur i ka kushtuar vendin e punës zv.ministrit. Ndërsa pas shkarkimit nga qeveria, ministrja Koçiu ka njoftuar edhe qytetarin që kishte denoncuar rastin, për vendimin.
Albana Koçiu është prezantuar pak ditë më parë si ministrja e parë grua në krye të Ministrisë së Brendshme. Ajo u prezantua nga kryeminsitri Edi Rama në një takim me kupolën e policisë./ZËRI