
TIRANË- Prej më shumë se 1 orë e gjysmë, Komisioni Hetimor për koncensionet në shëndetësi, është duke u shoqëruar me debate të forta, pa marrë asnjëlloj vendimmarrje. Shkak për këtë është bërë nënshkrimi i deklaratës së konfliktit të interesit, e cila është refuzuar nga deputetët e Partisë Socialiste.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa thotë se Plarent Ndreca ka frikë të firmosë deklaratën që s’ka konflikt interesi.
Gjatë përplasjeve në mbledhje, Zhupa tha se Ndreca ka frikë aq sa u çua të ikë nga mbledhja, mirëpo që është kthyer pas një mesazhi që ka marrë në celularin e tij.
“E kuptoj që Ndreca është në hall të madh, e bëri të ikë në vrap nga komisioni, por nuk e di kush e ktheu nga celulari. Ndreca duhet ta dijë që nuk mund të hedhë asgjë në votim se është nënkryetar, e dyta nuk hidhet në votim ligji. Ju dhe ne e kemi detyrim të firmosim formularin për konflikt interesi. Ju nuk e pranuat që jeni në konflikt interesi, firmose dhe do shkojë në ILDKPI, dhe ta vërtetojë nëse je apo jo. Prandaj ke frikë.
Po ashtu Milva Ekonomi ka qenë zv.ministre kur janë miratuar këtë koncesione. Zonja është thirrur në prokurori se thuhet se Ekonomi dhe Rrepaj kanë firmosur, ka qenë kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave. Unë nuk e di nëse lajmet janë të vërteta, por janë publike se keni firmosur në mungesë të zotit Beqaj. Ekonomi dhe ju të merrni përgjegjësi, firmosni sipas ligjit formularin e deklarimit. Se kuptoj irritimin tuaj, nuk e di pse u bërë kaq emocional, është detyrim ligjor ta bëjmë”, tha Zhupa.
/ZËRI