
TIRANË- Është publikuar dokumenti i ankimimit në KAS, kundër vendimit të KQZ për heqjen e mandatit të ish-kryebashkiakut të Himarës, Fredi Belerit. Ankimimi u dërguar një ditë para zgjedhjeve të pjesshme, ku Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut çoi kërkesën në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve. Përmes një reagimi nga burgu ai thotë se ankimi i tij nuk është marrë ende në shqyrtim. Beleri shprehet se ankimimi është paraqitur përpara datës së zgjedhjeve dhe vendimi akoma nuk është marrë nga KAS dhe rrjedhimisht as është njoftuar, pra ekzekutimi i vendimit të KQZ është i pezulluar, qysh përpara zgjedhjeve dhe akoma aktualisht. Ish-kryebashkiaku më tej, i cilëson manipulim dhe përdhosje të Kushtetutës zgjedhjet e Himarës pasi ligjërisht sipas tij nuk ekzistonte vakanca në këtë Bashki.
Reagimi i Fredi Belerit:
Të nderuar miq, Himariotë!
Skandali i zgjedhjeve në Himarë shkon përtej manipulimeve dhe vjedhje të zakonshme. Ky skandal ka kapërcyer tashmë kufijtë e ligjit dhe ka përdhosur Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Sipas Nenit 133 të Kodit të Procedurës Administrative, ankimi administrativ ndaj vendimit të KQZ pezullon ekzekutimin e tij, deri në njoftimin e vendimit të ankimit. Ankimi është paraqitur përpara datës së zgjedhjeve dhe vendimi akoma nuk është marrë nga KAS dhe rrjedhimisht as është njoftuar, pra ekzekutimi i vendimit të KQZ është i pezulluar, qysh përpara zgjedhjeve dhe akoma aktualisht.
Në këto kushte, mandati i Fredi Belerit nuk është ende i pavlefshëm ligjërisht, sado e pabesueshme mund të tingëlloje dhe as sjell efekte vendimmarrja për ndërprerjen e parakohshme të këtij mandati. Ligjërisht nuk ka ende vakancë, por zgjedhjet u zhvilluan, duke u zgjedhur tjetër kryetar Bashkie. Ky precedent, sa i pabesueshëm aq edhe antiligjor e antikushtetues, është prova më e madhe që zgjedhje të lira nuk ka më dhe me këtë regjim nuk ka shpresë të ndodhin.
Një fazë e re e opozitarizmit duhet të ngjizet sa më shpejt.... Mosbindje dhe përbuzje për hajdutët e votave .. Lajmi i mirë i vetëm është që kalaja e Himarës, e Lukovës e Nivicës dhe Dhërmiu, nuk janë mposhtur akoma! Burrat e Himarës nuk janë gjunjëzuar ende!”.
Në dokument jepen argumentet ligjore, se kur mund të ndërpritet mandati i një kryebashkiaku dhe se për KQZ-në nuk ka asnjë parashikim ligjor që mund të iniciojë apo të marrë një vendim të till. Në ankimin ngrihet pikpyetje edhe mbi nisjen e kësaj procedure, pasi shtetasi Eugen Likaj që ka bërë kërkesën nuk e ka patur këtë tagër, madje as kërkesa nuk ka qenë e plotë, apo e plotësuar me gjeneralitetet e kërkuesit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që ti hiqte përfundimisht mandatin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Belerit. Vendimi u dha dhe në prani të këtij të fundit, i cili u shoqërua në ambientet e KQZ me policë./ZËRI