
TIRANË- Drejtori i Burgjeve Klevis Qose foli në Komisionin e Sigurisë në lidhje me ngjarjet që kanë ndodhur ditët e fundit në dy burgjet e sigurisë së lartë në vend, ku në burgun e Peqinit dhe Burrelit u futën dy drone. Ai pranoi se ka ndodhur një thyerje në sigurinë e burgjeve.
“Në 20 ditët e fundit siguria e burgjeve u cënua dy herë nga mjetet fluturuese. Një mjet flutures dron, i cili u konstatua dhe u bë ndalimi i tij në Burgun e Burrelit, një instuticion i sigurisë së lartë dhe një tjetër në Burgun e Peqinit një instuticion i sigurisë së lartë, ku u arrit të konstaktohej një dron, i cili nuk u ndalua, por u konstaktuan sendet, të cilat arriten të depërtonin në këto ambjente. Policia sekuestroi dy aparate celular, 8 fisha për karikimin e telefonave, lëndë narkotike kanabis dhe lëndë narkotike kokainë”, tha Qose.
Ndërsa përsa i përket hetimeve të Prokurorisë për vrasjen e Arben Lleshit nga një tjetër i burgosur, Sokol Mjacaj në burgun e Peqinit, Qose tha se ende nuk kanë përfunduar hetimet.
“Përsa i përket vrasjes së Arben Lleshit po kryhet një hetim i thelluar nga Prokuroria. Disa punonjës janë marrë në hetim në lidhje me veprimin dhe mosveprimin e tyre, por ende nuk kanë përfunduar hetimet”, shtoi Qose.
Raportimi i Qoses nuk kaloi pa debate, ku Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ferdinand Xhaferaj e konsideroi këtë periudhë si ditët më të errëta të burgjeve në Shqipëri, të cilët sipas tij janë kthyer në hotele me 5 yje për të dënuarit me akuza të rënda.
"Ditët më të errëta lidhur me Drejtorinë e Burgjeve. Futen armë në burg, vriten të burgosur, ekspozohen shkresa zyrtare që burgu i Peqinit ishte kthyer në hotel me 5 yje. Aty ku ishin bosët e krimit. Burgu i Durrësit, hotel me 5 yje për të burgosurit e korrupsionit të politikës. Degradim që nuk ka shpatulla ta mbajë as drejtoi i burgjeve as ministri, porosia është nga kryeministri. Ndaj guxojnë titullarët e burgjeve të degradojnë institucionin aq sa kthehet në një hotel me 5 yje, ndaj thoni sot ka një hetim dhe jo një përgjigje. Droni në burgun e Peqinit. Ka pasur një tender për bllokimin e valëve në burgje. Pse nuk ka funksionuar? Pse nuk vendoset një “Perde” në atë burg të sigurisë së lartë? Përgjigjet janë brenda burgut”, u shpreh Xhaferaj.
Ndërsa deputeti i opozitës, Ervin Salianji kritikoi ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha për mosprezencën e tij në Komisionin e Sigurisë. Ai bëri thirrje për të dhe Drejtorin e Përgjithsëhm të Policisë të paraqiten në Komision dhe të japin shpjegime për ngjarjet e fundit kriminale që kanë ndodhur në vend dhe masat e sigurisë së marra.
“Ka që në 11 shtator që 8 deputetë të opozitës kanë dërguar kërkesë për krimet që kanë ndodhur në burgjet. Nuk ka asnjë aplikim për Drejtor të Brendshëm, thërrisni të vijë Ministri i Brendshëm është detyrim ligjor dhe kushtetues të vijë dhe të japi llogari. Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka kërkuar të thërrisni Ministrin e Brendshëm e keni lajmëruar apo jo? Apo është mbyllur në bunker, nuk ka faj me këto ngjarje kriminale që ka shqipëria e bënë mirë ai që është mbyllur,”- tha Salianji. /ZËRI