
TIRANË- Lulzim Basha bashkon votat e grupit të tij me Partinë Socialiste, duke i dhënë dakordësinë propozimit për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët. Në seancën e sotme të Kuvendit që ka nisur rreth orës 10:00 të paradites, Basha tha se grupi i deputetëve që ai përfaqëson do të votojë pro rritjes së pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, duke bashkuar kështu votat me PS-në. Grupi tjetër i deputetëve të opozitës që drejtohen nga Sali Berisha dhe Gazment Bardhi ndërkohë kanë shprehur kundërshtinë e tyre për këtë projektligj.
Kuvendi miratoi edhe 2 ndryshimet e fundit në qeveri, të cilat mbeten pezull për shkaqe proceduriale në seancën e ditës së hënë. Nga sot, Ervin Mete dekretohet si ministër i ri i Financave dhe Ekonomisë, ndërsa Delina Ibrahimaj, emërohet si ministre e Shtetit për Sipërmarrjen.
Në rendin e ditës janë parashikuar një sërë projektligjesh të tjera duke përshirë atë për armët dhe disa ndryshime në organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, që pritet të sjellë dhe rritjen e pagave të punonjësve të sistemit të drejtësisë.
Rendi i ditës i parashikuar në Kuvend:
Diskutimi dhe miratimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi, për sigurimet shoqërore”, projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e pjesshme të zgjeruar (EPA) për themelimin e regjistrit të dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës”, projektligji “Për miratimin e rezolutës nr.463 (2022), të Bordit Drejtues të CEB, “Rritja e kapitalit të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB)””.
Në rend të ditës janë diskutimi dhe miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovakisë, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor”, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2022 për projektin “Ekonomia qarkulluese për zhvillimin e qëndrueshëm urban në Shqipëri”.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.74/2014, “Për armët”, të ndryshuar”. Si edhe Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar./Zëri