Politikë

“Ligjet” miratojnë rritjen e pagave për gjyqtarët e Kushtetueses, kritika nga Xhafaj: S’mund të marrin më shumë sesa ata të GJKKO

Ndryshimet kanë për qëllim rritjen e pagave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Posaçëm të Apelimit.

k.m.
“Ligjet” miratojnë rritjen e pagave për gjyqtarët e
Pamje nga mbledhja

TIRANË- Komisioni i Ligjeve ka miratuar këtë të martë ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Ndryshimet u miratuan me 12 vota pro, 1 abstenim të Fatmir Xhafajt dhe 1 votë kundër nga ana e deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashit. Ndryshimet kanë për qëllim rritjen e pagave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Posaçëm të Apelimit. Gjatë mbledhjes së sotme në Komisionin e Ligjeve, zv.ministri i Drejtësisë, Klajd Karameta, e konsideroi këtë kërkesë si një synim për garantimin e një trajtimi dinjitoz për punën e gjyqtarëve dhe garanci për pavarësinë në punën e tyre.

Ndërkohë deputeti socialist Fatmir Xhafaj edhe pse deklaroi se është 'pro' rritjes së pagave shfaqi rezerva duke e krahasuar rolin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese me Gjykatën e Lartë. Ai theksoi se nuk duhet të ketë një diferencë kaq të madhe pagash mes gjyqtarëve të Kushtetues dhe atyre të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykaës së Lartë që gjykojnë krimin dhe korrupsionin. Po ashtu shtoi, se rritja e pagave duhet të bëhet brenda një logjike. 

“Një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese merr dyfishin e pagës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Një gjyqtar i Kushtetueses i bie të marrë 644 640 lekë dhe një i GJKKO që gjykon nga mëngjesi deri në darkë i bie të marrë 376 380 lekë. Nuk jam kundër rritjes së pagave, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të kenë pagë më të lartë, por personalisht nuk e kuptoj si është ndërtuar e gjitha kjo, ky përpjesëtim kaq i madh dhe fakti që këta paskan një vështirësi të madhe në punë mbi këta që gjykojnë krimin, korrupsionin që hetojnë dhe gjykojnë edhe këta për korrupsion. Keni futur një rreth pa shumë logjikë të shëndetshme gjykoj unë personalisht. Jam pro rritjes së pagës, por brenda një logjike, dhe jam kundër shtesë së për vështirës, 58% që e keni shtuar,”- tha Xhafaj.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi u shpreh kundër rritjes së pagave për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

“Mbas këtij favori nga qeveria, gjykata nuk do të kaloj asgjë. Ndryshimet kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash, ndaj duhet bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës,”- tha Bylykbashi.

Po ashtu shtoi se rritja e pagave për deputetët dhe ministrat, nuk u pasua me administratën; e po ashtu, u ngrit edhe shqetësimi për pensionet e ulëta. Beteja e gjyqtarëve për të përfituar shtesë page nisi në fillim të vitit 2021, pas një auditimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Sipas raportit të KLSH, një gabim në interpretimin e ligjit u ka mohuar gjyqtarëve 14 mijë lekë në muaj dhe se paga referencë e tyre duhet të ishte 132.100 lekë nga 118.000 lekë që ishte llogaritur deri në atë kohë. Por Ministria e Financave në atë kohë refuzoi të zbatonte rekomandimin, duke e cilësuar atë të padrejtë dhe me një kosto të lartë në buxhetin e shtetit, e cila do të kapte shifrën e 20 milionë dollarëve.

Poll

MOS HUMB