
TIRANË- Deputetët e opozitës kanë vazhduar aksionin e tyre për të bllokuar jetën parlamentare në vend, ndërkohë që sot tensionet janë zhvendosur në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Shkak për këtë është bërë prania e Gazment Bardhit në mbledhjen e Kryesisë së Kryetarëve, që sipas socialistëve nuk duhet të jetë për shkak se është përjashtuar për 10 ditë nga Kuvendi. Bardhi është përplasur me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, të cilës i është drejtuar me fjalët: Çfarë kam bërë unë që më ke përjashtuar?!
Tensione ka pasur dhe mes kreut të grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi, dhe deputetes së Partisë Demokratike Dhurata Çupi.
“Më keni përjashtuar pra, turp të keni ju që silleni korridoreve”, iu drejtua Dhurata Çupi, Bledi Çuçit, ndërkohë që deputetët e opozitës ishin bërë barrigadë në hyrje të sallës së mbledhjeve.
Deputetët e PS-së kanë vendosur që ta shtyjnë për në orën 13:00 mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, por duket se do të përballen me bllokimin e vazhdueshëm të deputetëve të PD-së. Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve do të ishte i pranishëm edhe ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, i cili do të bënte të ditur dhe projektbuxhetin për vitin e ardhshëm.
“Në vijim të njoftimit të mëparshëm për zhvillimin e Konferencës së Kryetarëve, në të cilën do të bëhet prezantimi i projektligjit “Për buxhetin e vitit 2024” nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, ju njoftojmë se mbledhja do të zhvillohet në orën 13:00”, njofton Kuvendi.
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi për mediat se deputetët e opozitës nuk do të shndërrohen në rrogëtarë në sallën e parlamentit. Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se një pjesë e mirë e deputetëve të PD-së vazhdojnë që të qëndrojnë në korridoret e Kryesisë së Kuvendit, në pritje të orës 13:00 kur do të rifillojë dhe mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Prej seancës së datës 19 Tetor, opozita ka radikalizuar aksionin e saj parlamentar, duke bllokuar jo vetëm seancat në Kuvend, por edhe mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Në seancën e datës 19 Tetor, opozita u ngujua në sallë për disa orë, ku mungonte energjia elektike, pasi fillimisht kishin zaptuar karriget e ministrave. Ndërkohë që në seancën e datës 30 Tetor, pati dhe përplasje fizike mes palëve, ku Bledion Nallbati tentoi të godiste me grusht deputetin Vullnet Sinaj. Tashmë qëndrimi i njëjtë i opozitës është shtrirë në të gjitha Komisionet Parlamentare. Sipas tyre kjo bëhet për të rikthyer në vend parlamentarizmin, pasi mazhoranca ka rrëzuar disa kërkesa të tyre për ngritjen e Komisioneve Hetimore parlamentare./Zëri.ai