
NJU JORK- Kryeministri shqiptar Edi Rama, dhe presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, kanë zhvilluar dje në Nju Jork një takim me dyer të mbyllura, pas një kohe relativisht të gjatë që kanë munguar takimet dypalëshe.
Shkak për ftohjen e marrëdhënieve është bërë kërkesa e vazhdueshem e Turqisë, për të hequr gylenistët nga drejtimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, gjë e cila ka sjellë dhe vonesën në inagurimin e xhamisë së re që është bërë në Tiranë, me investimin e Ankarasë zyrtare.
Në takimin që është mbajtur dje, foto të të cilit u bënë publike dhe nga kryeministri Shqiptar, Rama dhe Erdogan kanë folur për lidhjet dypalëshe, çështjet rajonale dhe globale, transmeton Anadolu.
Takimi me dyer të mbyllura u mbajt në Turkevi (Shtëpia Turke), qendrën diplomatike turke në Neë York, u realizua në margjinat e sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (UNGA) në metropolin amerikan.
Erdogan ka deklaruar se përpjekjet do të vazhdojnë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve të Türkiyes, raporton Anadolu.
Presidenti turk ka theksuar se “masakrat” e kryera nga Izraeli në territoret palestineze, veçanërisht në Gaza, dëmtojnë paqen rajonale dhe globale.
Ai ka deklaruar se “shkeljet e të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar tani duhet të ndalen dhe se Izraeli do të detyrohet të ndalojë nëse të gjitha shtetet e botës veprojnë së bashku në një mënyrë të orientuar drejt paqes”./ZËRI