
TIRANË- Dy kategori të tjera do të përfitojnë fishat e diabetit falas; invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar. Vendimi u mor këtë të mërkurë në mbledhjen e qeverisë, ndërsa u komunikua nga ministrja Albana Koçiu.
“Sot kemi nga 0-25 vjeç, të rinjtë dhe fëmijët të cilët mbulohen me këto fisha dhe qytetarët nga 65 vjeç e sipër. Me vendimin më të fundit, ne shtojmë mbulimin me fishat e diabetit falas, pra matjen e glicemisë me fishat e diabetit dhe për dy target grupe shumë të rëndësishme. Që janë invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar”, tha ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu.
Por sipas kësaj të fundit, nga ky vendim do të përfitojnë rreth 3500 persona të prekur nga diabeti.
“Janë 2 mijë invalidë punë që vuajnë nga sëmundja e diabetit dhe afro 1500 persona me aftësi të kufizuar të cilët do të përfitojnë falas fishat e diabetit. Këto vendime janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe vijnë në vazhdën e mbulimit shëndetësor universal. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksojmë edhe njëherë që për gjithë qytetarët, qeveria shqiptare, Ministria e Shëndetësisë do të vijojnë të jenë pranë tyre për t’i mbështetur në cilësinë e jetës, në një jetë më të shëndetshme për të mbështetur akoma më shumë dhe lehtësuar, jo vetëm kurimin e tyre në një moment kritik të jetës, por sigurisht për t’i qëndruar pranë me gjithë politikat sociale dhe shëndetësore”, tha ajo.
Në deklaratën për gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Koçiu theksoi se lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar me 1,345 barna alternativa mjekimi në total, nga 1191 që janë aktualisht.
Ajo bëri me dije se listës i janë shtuar 50 barna dhe medikamente të reja, nga të cilat 38 principe aktive të reja dhe 18 forme doza të reja, të cilat do t'i shërbejnë edhe pacientëve në spitalin Onkologjik.
Ministrja Koçiu shtoi se të gjitha barnat e reja të shtuara në Listën e Barnave të Rimbursueshme, janë ilaçe të cilat mbështesin akoma më shumë të gjitha diagnozat dhe patologjitë e sëmundjeve onkologjike, sëmundje kardiovaskulare, diabetin, sëmundje të veshkave, astmën bronkiale, sëmundje pulmonare, etj.