Politikë

Fitorja në Himarë/ Tavo: E besoj Gjikurinë për atë që tha në telefon, akuzave u përgjigjem me 1500 votat diferencë

Ndër të tjera kryebashkiaku i ri ka komentuar dhe akuzat në lidhje me manipulimin e fitores, ku u shpreh se përgjigjia e vetme janë 1500 vota diferencë.

f.t
Fitorja në Himarë/ Tavo: E besoj Gjikurinë për atë
Vangjel Tavo

TIRANË-Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës Vangjel Tavo ka treguar se kush e telefoni i pari pas fitores së zgjedhjeve të pjesshme të mbajtura në 4 gusht. Ai u shpreh se i ka bërë përshtypje telefonata nga kundërshtari i tij kandidati i opozitës, Petro Gjikuria. Tavo në një intervistë për Top Channel ka folur dhe rreth objektivave të tij pasi të marrë çelësat e zyrës së kryebashkiakut të Himarës. Ndër të tjera kryebashkiaku i ri ka komentuar dhe akuzat në lidhje me manipulimin e fitores, ku u shpreh se përgjigjia e vetme janë 1500 vota diferencë.

Pas fitores kush ju telefonoi për t’iu uruar i pari?

Tavo: Ajo që më bëri përshtypje ishte telefonata e z.Gjikuria që më uroi dhe e vlerësova shumë këtë telefonatë dhe mendova vërtet se duke qenë një person që gjysmën e jetës së tij ka jetuar jashtë ka ardhur me një frymë tjetër. Vazhdon të jetë ftesa në fuqi, që Gjikuria të ulet në karrigen e nënkryetarit të Bashkisë.

Po kur folët në telefon a morët një përgjigje për këtë ftesë?

Tavo: Nuk mora një përgjigje.

Pak minuta më vonë se shpallët fitoren, z.Gjikuria hodhi akuza se fitorja ishte nëpërmjet një procesi të manipuluar dhe se fitoi një kandidat që do i shërbejë kryeministrit.

Tavo: Përgjigja është rezultati i zgjedhjeve, afro 1500 vota diferencë. Unë u besoj atyre që dëgjoj me zë dhe figurë nga z.Gjikuria dhe jo ato që lexoj. Besoj atë që Gjikuria tha para procesit të numërimit se do ta njoh verdiktin e banorëve të Himarës, besoj te telefonata që më mori dhe uroj për fitoren, pjesa tjetër se kush e menaxhon dhe kush e dikton atë me shkrim nuk di çfarë t’ju them.

Vangjel Tavo fitoi me një diferencë me 1477 votash kundrejt kandidatit rival të koalicionit "Bashkë Fitojmë' në opozitë, Petro Gjikuria. Gjithsej, kandidati socialist numëroi në emrin e tij 5022 vota, pra 58.62%, ndërkohë Petro Gjikuria ka marrë 3545 vota, 41.38%./ZËRI

Poll

MOS HUMB