Politikë

Fredi Beleri 'nuk i ndahet' Himarës, padit KQZ në Gjykatën Administrative të Apelit: Më hoqi mandatin e kryebashkiakut në shkelje të ligjit!

Beleri argumenton se ndërprerja e mandatit duhet të arrihet me vendimmarrje të organeve kompetente, duke respektuar procedurën ligjore.

zh.ll
Fredi Beleri 'nuk i ndahet' Himarës, padit KQZ në
Eurodeputeti Fredi Beleri

TIRANA- Eurodeputeti Fredi Beleri nuk heq dorë nga Himara, teksa së fundmi ka ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që i hoqi mandatin në korrik të 2024. Në ankimimin e tij, Beleri thekson se ai e ka fituar mandatin në zgjedhjet vendore të 2023, prandaj sipas tij, vendimi i KQZ-së është në kundërshtim me ligjin. Beleri argumenton se ndërprerja e mandatit duhet të arrihet me vendimmarrje të organeve kompetente, duke respektuar procedurën ligjore.

Sipas pretendimve të Belerit të paraqitura në padi, as KQZ e as Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), nuk kanë kompetencë për të ndërprerë mandatin. Ai kërkon anulimin e vendimeve përkatëse të KQZ-së dhe njohjen e mandatit të tij si kryetar i Bashkisë Himarë, që nuk e ushtroi asnjë ditë për shkak të arrestimit dhe paraburgimit nën akuzën e korrupsionit zgjedhor.

Kujtojmë se Fredi Beleri u dënua me 2 vite burgim për korrupsion zgjedhor në zgjedhjet e 14 Majit 2023 në Himarë, teksa sipas dy shkallëve të GJKKO u provua se pagoi 400 euro për 8 vota.

Ai u arrestua më 12 maj 2023, por edhe pse nga qelia, arriti të fitojë zgjedhjet e 14 Majit. Por nuk u betua si kryebashkiak i Himarës pasi KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e tij. Edhe pse kurrë nuk u lejua të betohej si kryebashkiak, Atij iu dha leje nga drejtoria e Burgjeve që të bënte betimin si eurodeputet në Parlamentin Europian, si përfaqësues i Greqisë./ZËRI/

Poll

MOS HUMB