
DURRËS- Socialistët do të mbledhin Asamblenë e tyre këtë të dielë nga qyteti i Durrësit, ku pritet të zgjedhin dhe ekipin drejtues të kësaj force politike, që do ti prijë drejt zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Mbledhja pritet që të nisë rreth orës 11:00, ndërkohë që gjithçka është gati në sallën ku kryeministri Edi Rama nuk do t’i kursejë surprizat në përzgjedhjen e emrave.
“Mirëmëngjesi dhe me këtë pamje nga salla ku sot në Durrës do të zgjedhim ekipin drejtues të partisë socialiste, e do të nisim punën për të ndërtuar skuadrën tonë të re përfaqësuese PS 2030 për Shqipërinë 2030, ju uroj të diel të bukur”, shkruan Rama.
Asambleja e Partisë Socialiste ka 350 anëtarë, dhe në axhendën e ditës së sotme, fjala kryesore do të jetë ajo e Ramës, ndërsa më pas propozimet e tij për postet dhe drejtuesit politikë në qarqe pritet që të kalojnë për votim.
Sipas Tch, në mbledhjen e sotme të Asamblesë, nuk përjashtohet mundësia që Rama të prezantojë një platformë tërësisht të re për drejtimin e partisë, e cila nuk e fsheh konsumimin pas 12 viteve në pushtet, ndërsa synon mandatin e katërt. Kjo do të sillte dhe fundin e projektit të prezantuar disa vite më parë “Rilindje”, dhe kalimin në një strategji të re politike, të cilën Rama duket se e ka konsultuar dhe me këshilltarët e tij ndërkombëtarë.
Korridoreve të PS-së thuhet se Rama po planifikon ngritjen e një Asambleje paralele, që do t’iu përkasë të rinjve socialistë, ku dhe më pas do të përzgjidhen figura të pakonsumuara në poste të rëndësishme. Këtë frymë Rama e ka futur dhe në dy mandatet e fundit në qeveri, ku shumica e ministrave, janë përzgjedhur me profil teknik, pa kredenciale politike./ZËRI