Politikë

Gazetarët, tubimet dhe ndëshkimet e zyrtarëve të lartë/ PS i thotë jo 3 nismave të opozitës

Pas rrëzimit të këtyre iniciativave ligjore, deputetët e opozitës braktisën Komisionin e Ligjeve

E.K
Gazetarët, tubimet dhe ndëshkimet e zyrtarëve të lartë/
Felaj ne Komisionin e Ligjeve

TIRANË- 3 iniciativa ligjore të deputetëve të opozitës janë rrëzuar në Komisionet Parlamentare, duke thelluar edhe më shumë qëndrimin e PD se është koha për një radikalizim të tyre në marrëdhëniet me parlamentin. Nisma e parë ligjore që u rrëzua ishte ajo e propozuar nga deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, e cila kërkonte ndryshimin në nenin 262 të Kodit Penal.

Xhixho kërkoi që dënimi për kundravajtjen penale në rast organizimi grumbullimi apo manifestimi të paligjshëm, të ulet nga 12 në 6 muaj, si dhe të jetë e mjaftueshme vetëm një kërkesë e bërë me shkrim, pa marrë lejen e posaçme nga organet kompetente. Kërkesa e Xhixhos u kundërshtua nga Ermonela Felaj, e cila ishte dhe relatorja e mbledhjes, dhe më pas po me shumicë votash nga ana e socialistëve.

“Kolegët propozojnë që të njoftohet me shkrim dhe të mos merret leje për organizime grumbullimesh dhe manifestimesh, dhe kundravajtjen me 1 vit për moszbatimin e duan 6 muaj. Nuk mund të bësh një njoftim me shkrim dhe të mos i përmbahesh atyre që ke shkruajtur”, tha relatorja e mbledhjes, Ermonela Felaj. Përveç nismës së Xhixhos, socialistët rrëzuan dhe nismën e deputetes Ina Xhixo, e cila kërkoi që punonjësit e medias të trajtohen si subjekte të veçanta, në rast se ata goditen apo kanosen për shkak të detyrës.

“Vepra penale që kërkon ndryshim Zhupa parashikon punonjësit e shtetit, ata të medias nuk janë punonjës shtetëror dhe në funksion të publikut. Kodi Penal ka një nen që është “rrethanat rënduese”, i lejon gjykatës që nëse goditja apo kanosja i ndodh gazetarëve, dënimi të jetë më i rëndë se kur vepra i ndodh një subjekti të rastësishëm. Me ndryshimet që kërkoni i bie që media është në rrezikshmëri këtu në Shqipëri, por jo nuk është e rrezikuar”, argumentoi Felaj.

Maxhoranca në Komisionin e Ligjeve rrëzoi edhe kërkesën e demokratit Bylykbashi, për mosparashkrimin e veprës penale, për kryerjen e së cilës akuzohet një zyrtar shtetëror. Relatorja Ermonela Felaj argumentoi se të vetmet vepra që nuk parashkruhen janë krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit.

Pas rrëzimit të këtyre iniciativave ligjore, deputetët e opozitës braktisën Komisionin e Ligjeve, ndërkohë që e njëjta situatë u përsërit dhe në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, ku mbledhja u shty për shkak të debateve./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB