
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmin rus me bomba, me të cilin u përballën dje kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. Një ditë më pas, lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Sipas Ramës, sulme të tilla janë provokime të pamatura dhe të rrezikshme.
“Dënojmë fuqishëm sulmin me raketa ruse në Odessa që rrezikoi jetën e kryeministrit të Greqisë, Mitsotakis, mikut dhe aleatit të përkushtuar të NATO-s dhe Presidentit Zelensky, të cilin pata kënaqësinë ta prisja javën e kaluar në Tiranë. Këto janë provokime të pamatura dhe të rrezikshme,”-shkruan kryeministri në rrjetet e tij sociale.
Por kush ishte objektivi i goditjes së Rusisë në Odessa, Zelenskyy apo Mitsotakis?
"Nuk mund të përjashtohet që goditja e djeshme nga një raketë ruse në portin e Odesës të kishte për qëllim eskortat e Volodymyr Zelenskyy-t ose kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis,"- tha një këshilltar i presidencës ukrainase .
Ai tha se raketa u hodh nga Krimea, e cila u aneksua nga Rusia në vitin 2014./ZËRI