
TIRANË – Qeveria ka miratuar zëvendësimin e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj me Jona Sulin, në grupin negociator Shqipëri-BE. Suli është ish-sekretare në Ministrinë e Turizmit në grupin e negociatorëve në Bashkimin Europian.
Vendimi është marrë sot në mbledhjen e qeverisë, pasi Beqaj ka dhënë dorëheqjen disa javë më parë, kur GJKKO vendosi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Për shkak të hetimeve të SPAK për koncesionet në Shëndetësi, Beqaj ka dhënë dorëheqje edhe si drejtues i Agjencisë së Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës. Këtë post e mbante që në vitin 2021. Në grupin e negociatorëve me Bashkimin Evropian janë zëvendësuar edhe një sërë emrash të tjerë, si Albana Koçiu e Ervin Mete. Kjo, sepse Koçiu dhe Mete u emëruan ministra.
VENDIMI
PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.422, DATË 6.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, RREGULLAT E FUNKSIONIMIT DHE TRAJTIMIN FINANCIAR TË GRUPIT NEGOCIATOR DHE DETYRAT E KRYENEGOCIATORIT PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE TË ADERIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe të vendimit nr.749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me propozimin e ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të kreut I, të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Fjalët “Znj. Albana Koçiu” zëvendësohen me “Znj. Enkela Dudushi”;
b) Fjalët “Z. Ilir Beqaj” zëvendësohen me “Znj. Jona Suli,”;
c) Fjalët “Z. Ervin Mete, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, negociator për kapitullin 9;” zëvendësohen me “Znj. Mimoza Kaçi, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, negociator në detyrë për kapitullin 9, deri në emërimin e drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv;”.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit dhe Kryenegociator dhe grupi negociator për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Beqaj është zyrtari më i lartë nën akuzë për kontratat PPP, ndërkohë që për të njëjtën çështje në burg është biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. SPAK ka hetuar për 3 vite këtë procedurë ku janë zbuluar shkelje të procedurave me qëllim dhënien e koncesionit, kompanisë së Rrapajt dhe italianit Umbro Staçini. Me caktimin e masës së sigurisë, Beqaj dha dhe dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës./ZËRI/