
TIRANË- Lulzim Basha ka qenë një ndër politikanët e parë që ka reaguar pas deklaratës së Arben Ahmetajt, që akuzoi Ramën se e bëri kokë turku për aferën e inceneratorëve, ndërsa shigjetoi akuza dhe në drejtim të kryebashkiakut të Tiranës. Në një postim në rrjetet sociale, Basha tha se socialistët operojnë si banda kriminale, duke iu drejtuar njëri tjetrit me kode mafioze. Basha shkruan se në çdo vend normal, kryeministri duhet të ishte dorëhequr pas një deklarate të tillë, nga ish-bashkëpunëtori i tij i dikurshëm.
Postimi i Bashës:
Është e qartë se këta operojnë si bandë kriminale dhe me kode mafioze kërcënojnë njëri-tjetrin. Njëri del në dosje me krimin, tjetri në pazare korrupsioni, tjetri kanabizon Shqipërinë. Tani e pranojnë vetë dhe të gjithë tregojnë me gisht Edi Ramën. Kudo tjetër kryeministri do të ishte dorëhequr, por në rastin e tij sa më i madh abuzimi aq më e madhe arroganca.
Se çfarë bëjnë me njëri-tjetrin, kokat hëngshin, por çfarë shqetëson shqiptarët është se ata të gjithë bashkë nuk kanë ngrënë kumbulla e dardha, por paratë e shqiptarëve, kanë abuzuar me pasuritë e tyre. Dhe për këtë duhet të japin llogari para drejtësisë, nga i pari tek i fundit.
Në një intervistë nga arratia gjatë mbrëmjes së djeshme, Ahmetaj hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se po tenton ta bëjë kokë turku për të fshehur të vërtetat sipas tij “të llahtarshme” që fshihen pas inceneratorit të Tiranës, e duke drejtuar gishtin dhe ndaj kryebashkiakut të kryeqytetit Erion Veliaj. Ahmetaj foli për një prapavijë politike në veprimet e Prokurorisë së Posaçme e cila sipas tij ka ngritur një çështje mbi supozime. Për herë të parë pranoi miqësinë e ngushtë me Mirel Mërtirin, emrin që sipas Prokurorisë qëndron pas tre impianteve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë.
/ZËRI