
TIRANË- Katër deputetë të Kuvendit të Shiqpërisë kanë kërkuar me iniciativë personale verifikimin e tyre dhe të familjarëve të tyre në Autoritetin e Dosjeve, nëse kanë pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit, apo kanë qenë spiunë të saj gjatë viteve të diktaturës në vendin tonë. Këtë e bën me dije Autoriteti i Dosjeve në raportin vjetor, për vitin 2023.
“Pranë Autoritetit, gjatë periudhës janar – dhjetor, janë paraqitur katër kërkesa me iniciativë personale për verifikim, nga deputetë në detyrë të Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në raport.
Pavarëisht se AD nuk i ka bërë publik emrat, dy prej tyre dihen. Bëhet fjalë për Lefter Gështenjën dhe Kreshnik Çollaku, të dy deputetë të Partisë Demokratike në Kuvend. Ata janë shprehur se kanë kërkuar vullnetarisht kontrollin e figurës së tyre dhe të familjarëve të tyre sa i përket lidhjes me Sigurimin e Shtetit, ndërsa deputetë të tjerë, nuk kanë preferuar të bëjnë verifikime.
Ndërkohë sipas AD, në periudhën janar-dhjetor 2023, 14 zyrtarë, emrat e të cilëve nuk përmendën kanë dalë me porobleme sa i përket lidhjeve që kanë pasur me Sigurimin e Shtetit në të shkuarën. Sipas Autoritetit të Dosjeve, figurojnë në dokumente të ish-sigurimit të shtetit, si bashkëpunëtorë, anëtarë të ish-Sigurimit të Shtetit, si Prokurorë dhe dëshmitarë në procese politike dhe nga Autoriteti
“Në total, për periudhën janar – dhjetor 2023, pranë Autoritetit janë paraqitur 124 kërkesa për verifikimin e 232 zyrtarëve, janë verifikuar 257 kandidatë, nga të cilët, vetëm për 14 kandidatë rezultojnë me dokumente, pra figurojnë në dokumente të ish-sigurimit të shtetit, si bashkëpunëtorë, anëtarë të ish-Sigurimit të Shtetit, si Prokurorë dhe dëshmitarë në procese politike dhe nga Autoriteti, janë marrë 91 vendime. Për 10 zyrtarë të tjerë, është vendosur moslegjitimimi i kërkesës për verifikim, për 1 zyrtar është ndërprerë verifikimi me kërkesë nga institucioni, ndërsa për një zyrtar tjetër është vendosur pezullimi për kryerjen e verifikimit, në referencë të kërkesës së vetë institucioneve kërkuese”, thuhet në raport.
Më 20 tetor të vitit 2022, me 94 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë votoi hapjen e plotë të dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Por pavarësisht kësaj, me sa duket deputetët nuk kanë preferuar t’i drejtohen Autoriteteit të Dosjeve, pavarëisht zhurmës së madhe të shkaktuar para votimit.
Gjithçka nisi pas rastit “I.M”, ku Autoriteti i Dosjeve pretendonte se kemi të bëjmë me ish-Presidentin e asokohe Ilir Meta, i cili thuhej se përmendej në dosjen e Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtor. Për këtë Meta dërgoi në Gjykatë Autoritetin e Dosjeve./ZËRI